Zyra e Komisionerit në “Panairin Ndërkombëtar të Tiranës 2023”

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mori pjesë në edicionin e 29-të të “Panairit Ndërkombëtar të Tiranës”, i cili u mbajt në mjediset e Pallatit të Kongreseve në datat 6-9 dhjetor 2023. Ky aktivitet shërbeu si një platformë informimi, komunikimi dhe nxitje e bashkëpunimit mes qytetarëve, institucioneve publike/shtetërore dhe komunitetit të biznesit, për ofrimin e shërbimeve inovatore dhe zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të vendit.

Në kuadër të seminareve/trajnimeve të programuara si pjesë e agjendës së Panairit, Zyra e Komisionerit zhvilloi aktivitetin me temë “Siguria e të dhënave personale në Shqipëri dhe sfidat e digjitalizimit”. Në fokus ishte informimi dhe njohja me kuadrin rregullator në fuqi në këtë fushë, roli dhe veprimtaria mbikëqyrëse e institucionit dhe ecuria e procesit të përafrimit të plotë të Rregullores së Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave Personale (GDPR) me legjislacionin kombëtar. Të ndërthurur me shembuj nga praktika, prezantimet e Zyrës së Komisionerit trajtuan edhe ndërveprimin mes zbatimit të standardeve më bashkëkohore me sfidat e transformimit teknologjik/digjital në orfrimin e shërbimeve me cilësi dhe përgjegjshmëri, si në sferën publike ashtu edhe në atë private. Të pranishmit shfaqën interes edhe mbi aspekte të tjera të rëndësishme në këtë fushë, si përmbushja e detyrimeve për sistemet e menaxhimit të sigurisë së informacionit (SMSI), rolin e personit të kontaktit për mbrojtjen e të dhënave personale (DPO), certifikimi dhe akreditimi, etj. Aktiviteti shërbeu, gjithashtu, si një mundësi për nxitjen e njohurive të profesionistëve të rinj dhe për shkëmbimin e ideve e tendencave në funksion të rritjes së kulturës për respektimin e kësaj të drejte e lirie themelore individuale dhe për një mjedis digjital sa më të sigurt.

Po ashtu, Zyra e Komisionerit u përfaqësua përgjatë 4 ditëve të zhvillimit të Panairit me një stendë të posaçme. Kjo pjesëmarrje kishte për qëllim theksimin e rolit ndërgjegjësues, nxitjen e kulturës për ushtrimin në praktikë të të drejtave nga qytetarët, promovimin e veprimtarisë institucionale, si dhe ndërveprimin e drejtpërdrejtë me kategori e grupe të ndryshme interesi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *