Konferenca “E Drejta për Informim dhe Autoritetet Publike”

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në bashkëpunim me Fondacionin “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë” (Soros) organizuan sot në datë 17 dhjetor 2014 Konferencën “E Drejta për Informim dhe Autoritetet Publike”.

Qëllimi i Konferencës ishte prezantimi i risive të ligjit të sapo miratuar nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” përpara nëpunësve më të lartë të administratës publike. Në çelje të saj, fjala përshëndetëse u mbajt nga z. Besnik Dervishi, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, i cili shprehu angazhimin maksimal të Autoritetit që drejton në zbatimin rigoroz të ligjit “Për të drejtën e informimit”.

Konferencën e përshëndeti edhe Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, i cili në fjalën e tij theksoi se “Çdo qytetar duhet të ndihet i vetëdijshëm për të drejtën e informimit, por edhe i mbrojtur, pasi kufizimet e të drejtave dhe lirive të parashikuara në Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik, ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve, duke mos cenuar thelbin e lirive dhe të drejtave e në asnjë rast, nuk mund të tejkalojë kufizimet e parashikuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe aktet e tjera ndërkombëtare të cilat janë pjesë e sistemit të brendshëm ligjor shqiptar”.

Më pas Konferencën e përshëndeti edhe Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, znj. Milena Harito, si dhe z. Andi Dobrushi, Drejtor Ekzekutiv i Fondacioni “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”. Gjatë Konferencës e mori fjalën edhe deputetja e Kuvendit, znj. Vasilika Hysi, relatore e ligjit “Për të drejtën e informimit” dhe atij “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, e cila theksoi angazhimin e Kuvendit të Shqipërisë për të hartuar ligje cilësore, ambicioz por edhe afër qytetarit, siç janë konkretisht ligjet e sipërpërmendura.

Ky zhvillim i ri i sistemit ligjor synon garantimin e njohjes së publikut me informacion, në kuadër të ushtrimit të së drejtave dhe lirive të tij, formimit të pikëpamjeve për gjendjen e shtetit e të shoqërisë, nxitjen e integritetit, transparencës dhe përgjegjshmërisë së Autoriteteve Publike. Zyra e Komisionerit në ushtrim të kompetencave të caktuara nga ligji, ka hartuar projekt dokumentet, si Projekt-Programi i Transparencës, Projekt-Formular Kërkese, Projekt-Regjistri i Kërkesave për Informacion, etj., të cilat u prezantuan gjatë Konferencës. Aktiviteti shënoi edhe hapin e parë të njoftimit për konsultim publik të projekt-akteve të miratuara në parashikim të dispozitave të ligjit “Për të drejtën e informimit”.

Fjala e plotë z. Besnik Dervishi 

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe duke ndihmuar ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes në internet ju duket më interesante dhe e dobishme.

Politikat e privatësisë