|

Seancë degjimore me Shoqatën e Menaxhimit të Peshkimit të liqenit të Shkodrës dhe MBZHRAU

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në përputhje me detyrimet e ligjit Nr. 119/2014, datë 18.09.2014, “Për të drejtën e informimit”, zhvilloi sot një seancë dëgjimore me përfaqësues të Shoqatës së Menaxhimit të Peshkimit në liqenin e Shkodrës dhe të Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.

Objekt i kësaj seance ishte shqyrtimi i kërkesës se përfaqësuesve të Shoqatës drejtuar Ministrisë për t’u vënë në dispozicion atyre Urdhërin Nr. 390, datë 24.07.2015 “Për shpallje akte administrative si absolutisht te pavlefshme” të Ministrit, si dhe dokumentacionin zyrtar shoqërues që motivon këtë vendimmarrje. Komisioneri, z.Besnik Dervishi, u njoh me pretendimet e palëve dhe së shpejti do të dalë me një vendim për çështjen.

Me këtë rast, Zyra e Komisionerit nxit qytetarët që të jenë sa më aktivë në ushtrimin e kësaj të drejte kushtetuese, si dhe u kërkon Autoriteteve Publike që të përmbushin në afat të gjitha detyrimet e ligjit Nr. 119/2014, datë 18.09.2014, “Për të drejtën e informimit”.