Konferenca rajonale për të drejtën e informimit – Vlorë

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në bashkëpunim me Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë – Soros organizuan në Vlorë Konferencën Rajonale “E drejta për informim, autoritetet publike, koordinatori dhe programet e transparencës”, e dyta në rradhë në këtë format, pas asaj në Korçë. Në kuadër të riorganizimit të organeve të qeverisjes vendore nga zbatimi i reformës Administrativo-territoriale, aktiviteti kishte për qëllim që të njihte dhe të trajnonte përfaqësuesit e këtyre strukturave, si dhe atyre të institucioneve qendrore në nivel vendor, me detyrimet e ligjit Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”.

Në këtë Konferencë morën pjesë Prefekti i Qarkut, znj. Etjona Hoxha, Kryetari i Këshillit të Qarkut, z. Sadrit Danaj, përfaqësuesja e Fondacionit Soros, znj. Ersida Sefa, krerë dhe përfaqësues të njësive të tjera të qeverisjes vendore të këtij qarku, përfaqësues të institucioneve qendore në nivel vendor, nga shoqëria civile, media, etj.

Në fjalën e tij përshëndetëse, z. Besnik Dervishi, vlerësoi se transparenca e Autoriteteve Publike është një domosdoshmëri për një administratë moderne në shërbim të qytetarëve. Ndërsa theksoi, se “nuk ka më dokumente zyrtare që mund të fshihen dhe nuk mund të ketë më zyrtarë që mund t’i fshihen përgjegjësisë. Ky është një revolucion në punën dhe mentalitetin e administratës shtetërore. Transparenca është paradhoma e luftës kundër korrupsionit dhe ju siguroj, që ne e kemi shumë seriozisht”.

Z. Dervishi, pasi bëri një panoramë të punës së Zyrës së Komisionerit që prej hyrjes në fuqi të ligjit Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” në nëntor të vitit të kaluar, nënvizoi si mjaft të rëndësishëm edhe procesin e ndërgjegjësimit të qytetarëve dhe opinionit publik për ushtrimin e kësaj të drejtë kushtetuese. “Janë reflektuar praktikat dhe eksperiencat më të mira evropiane – tha ai, ku e drejta për informim trajtohet bashkarisht me mbrojtjen e të dhënave personale, që privatësia e individit të mbrohet edhe kur jepet informacion për dokumentacionin zyrtar”. Ndërsa, duke përfituar edhe nga rasti i organizimit të këtij aktiviteti, i fton ata që të jenë sa më aktivë në ushtrimin e kësaj të drejte në praktikë.

Në fjalën e tyre përshëndetëse, znj. Hoxha dhe z. Danaj, e cilësuan organizimin e kësaj Konferencë si shumë të rëndësishme, në kuadër të reformës Administrativo-territoriale. Ata vlerësuan bashkëpunimin me Zyrën e Komisionerit në procesin e trajnimit për përmbushjen e detyrimeve të ligjit Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” nga institucionet e qeverisjes vendore. Ndërsa, znj. Sefa i njohu të pranishmit me procesin e draftimit, miratimit dhe standardeve moderne të ligjit në fjalë, pasi Fonacioni Soros ishte iniciatori i ndryshimit rrënjësor të ligjit të mëparshëm.

Zyra e Komisionerit mbajti në këtë aktivitet edhe një prezantim për të pranishmit, të cilët u njohën më në detaje me risitë e ligjit, funksionimin e Autoritetit, si dhe me disa raste praktike. Ky prezantim shërbeu edhe si një udhërrëfyes për procesin e trajtimit të kërkesave nga organet e qeverisjes vendore, duke nënvizuar si një mënyrë shumë efektive të uljes së tyre, hartimin, plotësimin me sa më shumë informacion dhe përditësimin e programit të transparencës.