28 Janar 2016, Dita e Mbrojtjes së të Dhënave Personale

Ceremonia e ndarjes së çmimeve të konkursit “Mbro privatësinë tënde gjatë lundrimit në internet”

Sot më 28 Janar 2016, në Ditën Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave Personale u zhvillua në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve në kryeqytet ceremonia e ndarjes së çmimeve të konkursit “Mbro privatësinë tënde gjatë lundrimit në internet”.  Ky lloj aktiviteti vlerësohet si një nga mënyrat më të mira për rritjen e ndërgjegjësimit dhe njohjen me të drejtat e tyre të të rinjve dhe fëmijëve, për nevojën e ruajtjes së privatësisë dhe të dhënave personale, duke marrë në konsideratë zhvillimin e shpejtë të rrjeteve sociale.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm znj. Dewi van de Weerd, Ambasador i Mbretërisë së Holandës; znj. Nora Malaj, zv/ministër i Arsimit dhe Sportit; z. Olsi Dekovi, përfaqësues i Këshillit të Evropës në Shipëri; përfaqësues të Raiffeisen Bank dhe Botimeve Dudaj – mbështetës të këtij aktiviteti; nxënës e mësues të shkollës 9-vjeçare të Tiranës “Jeronim de Rada” dhe të ftuar të tjerë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, z. Besnik Dervishi, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, teksa shprehu kënaqësinë për numrin shumë të madh dhe për punimet me cilësi të nxënësve në këtë konkurs, theksoi se në epokën digjitale edukata për ruajtjen e privatësisë dhe mbrojtjen e të dhënave duhet të merret që në bangat e shkollës. Sipas tij, pjesëmarrja kaq e lartë dhe dëshira e nxënësve, është shprehje kuptimplotë e procesit të ndërgjegjësimit gjithnjë në rritje e brezit më të ri me këtë të drejtë kushtetuese.

Znj. van de Weerd, në fjalën e saj përshëndetëse e konsideroi si një përvojë mjaft të vyer organizimin e këtij konkursi. Ndërsa e cilësoi Zyrën e Komisionerit një partner të rëndësishëm, edhe në kuadër të presidencës së rradhës 6-mujore të Bashkimit Evropian që mbahet nga Mbretëria e Holandës.

Znj. Malaj nga ana e saj  vlerësoi angazhimin e nxënësve pjesëmarrës në këtë konkurs, si dhe theksoi bashkëpunimin e institucionalizuar tashmë me Zyrën e Komisionerit në organizimin e aktiviteteve të kësaj natyre.

Organizimi i konkursit “Mbro privatësinë tënde gjatë lundrimit në internet” me shkollat 9-vjeçare me punime në ese/poezi dhe në vizatime/pikturë është një iniciativë e Zyrës së Komisionerit, në kuadër të kremtimit të 28 Janarit, Ditës Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave Personale. Në bashkëpunim me ministrinë e Arsimit dhe Sportit, në këtë aktivitet morën pjesë 21 shkolla 9-vjeçare nga 17 qytete të vendit, nxënësit e të cilave paraqitën mbi 500 punime në të dy kategoritë. Më poshtë lista e fituesve të çmimeve:

Kategoria pikturë/vizatim:

Çmimi I – Eden Fetahu, shkolla “Jeronim de Rada”, Tiranë;

Çmimi II – Irda Pateriku, Eneida Barbullushi, shkolla “Ndre Mjeda”, Shkodër;

Çmimi III – Jimena Qarri, shkolla “Sevasti Qiriazi”, Korçë;

Çmimi special Raiffeisen Bank – Melisa Mali, shkolla “Kushtrimi i Lirisë”, Durrës.

Kategoria ese/poezi:

Çmimi I – Kristjan Qoku, shkolla “Papa Kristo Negovani”, Ersekë;

Çmimi II – Jonida Morina, shkolla “Avni Rustemi”, Kukës;

Çmimi III – Kledi Saliko, shkolla “Naim Frashëri”, Fier;

Çmimi special Botimet Dudaj – Detjona Avllaj, shkolla “Nr.1” Krujë.

Kupa si shkollës më të mirë pjesëmarrëse në këtë konkurs iu akordua “Jeronim de Radës”, Tiranë.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe duke ndihmuar ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes në internet ju duket më interesante dhe e dobishme.

Politikat e privatësisë