Konferenca rajonale për të drejtën e informimit – Elbasan

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale organizoi në Elbasan konferencën rajonale “E drejta për informim, autoritetet publike, koordinatori dhe programet e transparencës”. Ky aktivitet i rëndësishëm vjen pas takimeve të ngjashme të zhvilluara në Korçë, Vlorë e Shkodër, gjatë periudhës nëntor-dhjetor 2015.

Konferenca kishte për qëllim të njihte dhe të trajnonte përfaqësuesit e këtyre strukturave, si dhe atyre të institucioneve qendrore në nivel vendor, me detyrimet e ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, në përfundim të procesit të riorganizimit të organeve të qeverisjes vendore nga zbatimi i reformës Administrativo-territoriale. Në këtë Konferencë ishin të ftuar Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, z. Qazim Sejdini, Prefekti i Qarkut, z. Arben Kamami, drejtues dhe përfaqësues të njësive të tjera të qeverisjes vendore të këtij qarku, përfaqësues të institucioneve qendore në nivel vendor, nga shoqëria civile, media, etj.

Z. Besnik Dervishi, në fjalën e tij përshëndetëse, theksoi se transparenca e Autoriteteve Publike është domosdoshmëri për një administratë moderne dhe efikase në shërbim të qytetarëve. Komisioneri tha se “në punën e deritanishme të institucionit janë reflektuar praktikat dhe eksperiencat më të mira evropiane, ndërsa, vlerësoi se ka ardhur koha që programet e transparencës së Autoriteteve Publike të përmirësohen dhe të reflektojnë specifikat e sektorëve respektivë”.

Konferencën e përshëndetën edhe z. Sejdini e z. Kamami, që e cilësuan atë të domosdoshme dhe në kohën e duhur, si për përmbushjen e detyrimeve ligjore nga institucionet e qeverisjes vendore, ashtu edhe për një administratë të hapur për qytetarët.

Zyra e Komisionerit mbajti në këtë Konferencë edhe një prezantim ku të pranishmit u njohën më në detaje me risitë e ligjit “Për të drejtën e informimit”, funksionimin e institucionit dhe me disa raste praktike. Ky prezantim shërbeu edhe si një udhërrëfyes për procesin e trajtimit të kërkesave të qytetarëve nga Autoritetet Publike, ndërsa u vlerësua me rëndësi hartimi, plotësimin me sa më shumë informacion dhe përditësimi i programit të tyre të transparencës.