Konferenca rajonale për të drejtën e informimit – Berat

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale organizoi në Berat konferencën rajonale “E drejta për informim, autoritetet publike, koordinatori dhe programet e transparencës”. Ky aktivitet vjen pas takimeve të ngjashme të zhvilluara më herët gjatë këtij muaji në Gjirokastër dhe në muajin mars në Elbasan, si dhe gjatë periudhës nëntor-dhjetor 2015 në Korçë, Vlorë e Shkodër.

Konferenca kishte për qëllim të njihte dhe të trajnonte përfaqësuesit e strukturave të pushtetit vendor, si dhe atyre të institucioneve qendrore në nivel vendor, me detyrimet e ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, në përfundim të procesit të riorganizimit të organeve të vetëqeverisjes vendore nga zbatimi i reformës administrativo-territoriale. Në këtë Konferencë ishin të ftuar, z. Fadil Nasufi, Prefekti i Qarkut, drejtues dhe përfaqësues të njësive të tjera të qeverisjes vendore të këtij qarku, përfaqësues të institucioneve qendore në nivel vendor, nga shoqëria civile, media, etj.

Z. Besnik Dervishi, në fjalën e tij vlerësoi faktin se nxitja e kulturës së transparencës nga Autoritetet Publike është domosdoshmëri për një administratë moderne dhe të përgjegjshme. Komisioneri, theksoi, se gjatë periudhës gati 20-mujore që nga hyrja në fuqi e ligjit, institucioni ka reflektuar dhe zbatuar në punën e tij praktikat dhe eksperiencat më të mira evropiane. Z. Dervishi tha se ka ardhur koha që programet e transparencës duhet të përmirësohen, për të reflektuar specifikat e Autoriteteve Publike respektive, ndërsa duhet të forcohet roli i koordinatorit për të drejtën e informimit.

Konferencën e përshëndeti dhe z. Nasufi, që e vlerësoi atë të rëndësishme jo vetëm për përmbushjen e detyrimeve ligjore, por për një administratë publike të hapur dhe efikase në shërbim të qytetarëve. Zyra e Komisionerit mbajti një prezantim, ku të pranishmit u njohën më në detaje me risitë e ligjit dhe me disa raste praktike. Prezantimi shërbeu edhe si një udhërrëfyes për procesin e trajtimit të kërkesave të qytetarëve nga Autoritetet Publike, ndërsa u vlerësua me rëndësi hartimi, plotësimi me sa më shumë informacion dhe përditësimi i programit të transparencës.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe duke ndihmuar ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes në internet ju duket më interesante dhe e dobishme.

Politikat e privatësisë