“Sfidat e reja të privatësisë” – Konferenca e 38-të Ndërkombëtare e Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë

Konferenca Ndërkombëtare e Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë (ICDPPC) zhvilloi në Marakesh të Marokut punimet në edicionin e 38-të të saj, me moton “Sfidat e reja të privatësisë”. Ky është forumi kryesor botëror për trajtimin e problematikave të kësaj fushe që prej vitit 1979. Aktualisht Konferenca numëron 110 Autoritete ligjzbatuese nga shumë vende të globit, e ku Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale është anëtare me të drejtë vote që prej vitit 2010. Përgjatë ditëve të zhvillimit të saj, pjesëmarrësit në Konferencë diskutuan për privatësinë e të dhënave si nxitëse e zhvillimit të qëndrueshëm, aksesin e institucioneve ekzekutive në të dhënat personale, rolin e teknologjisë, si dhe për natyrën e dallimeve kulturore e ligjore të kësaj fushe në rajone të ndryshme të globit.

Një nga çështjet e rëndësishme që u trajtua në këtë Konferencë ishte zbatimi i unifikuar i Rregullores së re të Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave Personale (GDPR) në BE. Kreu i Njësisë së Mbrojtjes së të Dhënave në Drejtorinë e Përgjithshme të Drejtësisë (DG Justice) në Komisionin Evropian tha se “synimi është të kemi nivel të mjaftueshëm, i cili të jetë i barasvlefshëm kudo, ndërkohë që BE do të intensifikojë dialogun ndërkombëtar për të lehtësuar më tej qarkullimin e të dhënave”. Gjithashtu, ai vlerësoi se “konsumatorët kanë pritshmëri akoma më të mëdha dhe kompanitë e shohin privatësinë gjithnjë e më tepër si një problem të konkurrencës”.

Marrëdhënia BE-SHBA ishte, gjithashtu, një temë e rëndësishme e diskutimit. Mbikëqyrësi Evropian i Mbrojtjes së të Dhënave (EDPS) vlerësoi se “tashmë ka më shumë ngjashmëri se sa ndryshime, e ku vlerat themelore janë të njëjta”. Ai tha se është koha për një kuadër të përbashkët legjislativ, duke qenë se ka shumë shtete që e kanë të rregulluar fushën e mbrojtjes së të dhënave, por nuk përdorin domosdoshmërisht të njëjtën terminologji të të drejtave. U theksua nevoja për një gjeneratë të tretë të rregullave të mbrojtjes së privatësisë në përputhje me Traktatin e Lisbonës.

Në këtë edicion të Konferencës u miratuan këto dokumente:

  • Rezoluta për miratimin e një kuadri ligjor ndërkombëtar për Edukimin mbi Privatësinë;
  • Rezoluta mbi zhvillimin e indikatorëve të rinj të Rregullores së Mbrojtjes së të Dhënave;
  • Rezoluta mbi mbrojtësit e të drejtave njerëzore;
  • Rezoluta mbi bashkëpunimin ndërkombëtar për zbatimin e ligjeve të privatësisë.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe duke ndihmuar ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes në internet ju duket më interesante dhe e dobishme.

Politikat e privatësisë