|

Konferenca e 10-të dhe Asambleja e 11-të e Përgjithshme e Shoqatës Frankofone të Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave Personale (AFAPDP)

Në datat 4 dhe 5 shtator 2017 u zhvillua Konferenca e 10-të dhe Asambleja e 11-të e Përgjithshme e Shoqatës Frankofone të Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave Personale (AFAPDP), me ftesë të Autoritetit kombëtar të mbrojtjes së të dhënave personale të Tunizisë, organizuar në partneritet me Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë (OIF). Ky aktivitet përkoi me 10 vjetorin e themelimit të këtij forumi të rëndësishëm në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, i cili mbledh së bashku autoritete frankofone, për të diskutuar tematika që lidhen me aktualitetin në këtë fushë. Ndërkohë, një grup pune me pjesëmarrjen e disa autoriteteve anëtare të AFAPDP-së, në të cilin merr pjesë edhe Zyra e Komisionerit, është ngritur dhe po punon për hartimin e një botimi, i cili parashikohet të artikulojë një bilanc të punës së Shoqatës dhe anëtarësisë së saj gjatë këtyre 10 viteve dhe që pritet të përfundojë në dhjetor të këtij viti, duke u prezantuar më pas gjatë po këtij muaji në një aktivitet në Paris.

Panelet në përbërje të Konferencës u përqendruan në tematika në lidhje me mbrojtjen e të dhënave gjatë zhvillimit të veprimtarisë humanitare nga aktorët e kësaj fushe, mbrojtjen e të dhënave biometrike, rolin e oficerit të mbrojtjes së të dhënave personale, duke përfshirë sigurisht edhe një panoramë të komponentëve kryesorë të Rregullores së Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave dhe ndikimit që kjo e fundit parashikohet të ketë jashtë Bashkimit Evropian. Gjatë Konferencës u prezantua edhe Manuali mbi mbrojtjen e të dhënave në veprimtarinë humanitare, i përgatitur bashkërisht nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) dhe Brussels Privacy Hub-it (BPH) dhe një ekip ekspertësh nga Autoriteti federal zviceran i mbrojtjes së të dhënave, Mbikëqyrësi Evropian i Mbrojtjes së të Dhënave, Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, etj.

Gjatë Asamblesë së 11-të të Përgjithshme të AFAPDP-së u diskutuan dhe u miratuan disa dokumente të rëndësishme, ndër të cilat vlen të përmendet Rezoluta për Monitorimin e Zhvillimit të Inteligjencës Artificiale, në të cilën theksohet domosdoshmëria e një qasjeje proaktive nga ana e autoriteteve mbikëqyrëse të mbrojtjes së të dhënave, në raport me zhvillimin e teknologjive të inteligjencës artificiale, duke nxitur autoritetet frankofone të shtojnë përpjekjet e tyre për garantimin e respektimit të së drejtave dhe lirive të individit, nëpërmjet promovimit të konceptit të privatësisë që nga konceptimi (Privacy by design) dhe hartimit e miratimit të akteve ligjore përkatëse. Po ashtu, Asambleja miratoi një Marrëveshje Kuadër Bashkëpunimi midis Shoqatës Frankofone të Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave (AFAPDP) dhe Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë (APF), e cila zyrtarizon një bashkëpunim të hershëm midis këtyre organizmave dhe rregullon shkëmbimin e ekspertizës teknike e zhvillimin e veprimtarive të përbashkëta.

Paralelisht me Konferencën dhe Asamblenë u organizua edhe një trajnim teknik në lidhje me kontrollet administrative (inspektimet), i ofruar nga ekspertët e autoriteteve të Francës (CNIL), Kanadasë (CPVP), etj., gjatë së cilit u analizua në hollësi i gjithë procesi i zhvillimit të një kontrolli administrativ, që nga faza e konstatimit të një shkeljeje dhe procedurave në vijim, shpjeguar hap pas hapi me raste praktike dhe diskutime në formën e një tryeze të rrumbullakët.