Konferenca IV Kombëtare “Për të drejtën e informimit – Për një ligj edhe më të mirë”

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Fondacionin “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, organizuan “Konferencën IV Kombëtare Për të drejtën e informimit/Për një ligj edhe më të mirë”. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues dhe koordinatorë të të drejtës për informim të institucioneve qendrore, atyre të pavaruara, të vetëqeverisjes vendore, të sistemit të drejtësisë, të organizatave të shoqërisë civile, të medias, etj. Konferenca kishte për qëllim vlerësimin e zbatimit të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” dhe shqyrtimin e problematikave të konstatuara në përmbushjen e detyrimeve të tij nga Autoritetet Publike.

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi disa prej arritjeve kryesore të punës së institucionit në zbatimin e ligjit. “Jemi në vitin e katërt të zbatimit të ligjit 119/2014 “Për të drejtën e informimit” dhe natyrisht, kemi një bilanc dhe eksperiencë pune mbi të cilën mund të mbështetemi dhe të debatojmë. Zyra e Komisionerit ka dhënë kontributin e saj për më shumë transparencë në prokurimet publike, koncesionet, shërbimin shëndetësor, sistemin arsimor, raportet e auditimit, procesin gjyqësor dhe arbitrazhin ndërkombëtar, vendimmarrjen e organit të prokurorisë, rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, etj.” – tha në fjalën e tij z. Dervishi.

Konferencën e përshëndeti z. Andi Dobrushi, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”. Në fjalën e tij ai vlerësoi se “vihet re rritje e besimit të shoqërisë civile dhe opinionit publik, në tërësi, ndaj Zyrës së Komisionerit. Gjithashtu, vlen të theksohet jurisprudenca që institucioni i Komisionerit ka krijuar përmes vendimmarrjes së tij”.

Në aktivitet mbajtën prezantime z. Edgar Wagner, ekspert i “Projektit të Binjakëzimit Antikorrupsion”; znj. Eralda Methasani (Çani), pedagoge; znj. Ersida Sefa, përfaqësuese e Fondacionit “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë” dhe znj. Ardita Shehaj, Drejtor i Drejtorisë për të Drejtën e Informimit.

Në Konferencë të pranishmit u njohën me 4 dokumenta. I pari u prezantua projekti i amendimeve të mundshme të ligjit 119/2014 “Për të drejtën e informimit”. Ky moment shërben edhe si nisja e procesit të konsultimit publik për këtë akt. Gjithashtu, u prezantuan edhe iniciativat për përmirësimin e legjislacionit për mundësimin ligjor dhe praktik të komunikimit të drejtpërdrejtë të qytetarëve me institucionet publike, përmes adresimit të kërkesave për informim në rrugë elektronike (portali pyetshetin.al); vlerësimi i kapaciteteve dhe nevojave për forcimin e statusit të koordinatorëve të së drejtës së informimit; si dhe instrumenti i vetëvlerësimit për institucionet e pavarura.

Nëpërmjet këtyre nismave, synohet që të rritet pjesëmarrja e individit/shoqërisë civile/medias në procesin e qeverisjes, si një nga elementët kryesorë të luftës kundër korrupsionit. Transparenca dhe llogaridhënia e Autoriteteve Publike është vitale për zhvillimin e demokracisë dhe kultivimi i kësaj kulture është detyrë e të gjitha institucioneve, duke përmirësuar funksionimin e tyre të brendshëm. Njëkohësisht, forcimi i rolit të koordinatorit të të drejtës për informim rrit përgjegjësinë e përmbushjes së detyrimeve të ligjit 119/2014, në mënyrë që të zbatohen standarde të unifikuara për qytetarët shqiptarë.

Fjala e z. Besnik Dervishi

Fjala e z. Andi Dobrushi