Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, z. Luigi Soreca, u prit sot nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi. Agjenda e këtij takimi pune u përqendrua në veprimtarinë e Autoritetit në kuadër të mbikëqyrjes së legjislacionit për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale; procesin e integrimit në përafrimin e kuadrit rregullator shqiptar me atë evropian në fushën e mbrojtjes së të dhënave; si dhe në zhvillimin e Konferencës së 41-të Ndërkombëtare të Komisionerëve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë në Tiranë më 21-24 tetor 2019.
Komisioneri Dervishi u shpreh se krijimi i Autoritetit është shprehje e vullnetit dhe mbështetjes që BE ka dhënë për Shqipërinë. Ai prezantoi në takim arritjet kryesore dhe fokusin e punës së Zyrës së Komisionerit gjatë viteve të fundit. Ndërsa, theksoi se hyrja në fuqi e ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore panoramën e transparencës së Autoriteve Publike shqiptare, e nga ana tjetër, ligji 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” është instrument i testuar dhe i besueshëm për garantimin e privatësisë së qytetarëve. Zyra e Komisionerit do të nisë së shpejti zbatimin në kuadër të Programit IPA 2017 të projektit të binjakëzimit (twinning) “Ndërtimi i institucioneve për harmonizimin me acquis të BE për të përmbushur kriteret ekonomike lidhur me mbrojtjen e të dhënave”. Nëpërmjet këtij projekti do të përafrohen tërësisht në legjislacionin shqiptar Rregullorja e Përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR) dhe Direktiva e Policisë (2016/680), duke siguruar standardet më të larta në këtë fushë edhe për qytetarët shqiptarë. Komisioneri Dervishi e njohu z. Soreca edhe me përgatitjet për organizimin e Konferencës së 41-të Ndërkombëtare (ICDPPC).
Ambasadori Soreca vlerësoi maksimalisht veprimtarinë e Zyrës së Komisionerit dhe garantoi mbështejten e plotë të Delegacionit në të ardhmen për institucionin. Ai theksoi, veçanërisht, se mbrojtja e të dhënave personale në vetvete ndihmon në procesin e sundimit të ligjit në Shqipëri. Sipas Kreut të Delegacionit, sfidat e epokës digjitale janë të shumëllojshme dhe transpozimi i legjislacionit të ri evropian në këtë fushë në kuadrin rregullator shqiptar, është një proces shumë sinjifikativ, për të cilin BE ka aprovuar edhe projektin përkatës me një vlerë prej 400 mijë eurosh. Po ashtu, Ambasadori nënvizoi si shumë të rëndësishëm thellimin e bashkëpunimit të institucioneve shqiptare të drejtësisë e policisë me ato evropiane në këtë fushë. Z. Soreca e cilësoi mbajtjen e Konferencës së 41-të Ndërkombëtare (ICDPPC) në Tiranë në tetor 2019 si shprehje të konsolidimit të rolit të Zyrës së Komisionerit si brenda ashtu edhe jashtë vendit.