|

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Samitin Global të Privatësisë

Me ftesë të drejtuesve të Shoqatës Ndërkombëtare të Profesionistëve të Privatësisë (International Association of Privacy Professionals – IAPP) dhe në kuadër të mbledhjes së 51-të të Komitetit Ekzekutiv të Konferencës Ndërkombëtare të Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave Personale dhe Privatësisë (ICDPPC), Komisioneri, z. Besnik Dervishi, mori pjesë në një sërë aktivitetesh në Washington DC.

Agjenda e takimeve dhe aktiviteteve përfshinte pjesëmarrjen në Samitin Global të Privatësisë në “Washington Convention Center” me pjesëmarrjen e mbi 4000 profesionistëve të sektorit. Në samit u trajtuan tema që varionin nga përgjegjshmëria dhe llogaridhënia e organizatave, nëpunësit e mbrojtjes së të dhënave, privatësia dhe mbrojtja e të dhënave në komunikimet hapësinore, privatësia dhe arsimi i lartë apo media, mbrojtja e privatësisë së nëpunësve sipas GDPR, krahasimi facial, si dhe takime e shkëmbime ndërmjet profesionistëve të privatësisë dhe shumë panele e atelie të ndryshme.

Një ditë e plotë iu dedikua takimeve ndërmjet Autoriteteve kryesore botërore të mbrojtjes së të dhënave me zyrtarë të lartë amerikanë, duke nisur nga një tur takimesh në Shtëpinë e Bardhë me Abigail Slater, Asistenten Speciale të Presidentit të SHBA për Teknologjinë, Telekomunikimet dhe Politikat Kibernetike; zyrtarë të qeverisë amerikane; nëpunësin e mbrojtjes së të dhënave të Shtëpisë së Bardhë, etj. Gjithashtu, takimet vijuan me anëtarë të stafit të Kongresit që punojnë aktualisht mbi legjislacionin federal të privatësisë dhe me politikanë të shtetit të Kalifornisë, përfshirë Alastair Mactaggart, iniciatorin e CCPA (California Consumer Privacy Act – Ligji i Privatësisë së Konsumatorëve të Kalifornisë), Komisionerin e Komisionit Federal të Tregtisë, z. Noah Phillips, si dhe takime me organizatat kryesore amerikane dhe ndërkombëtare të shoqërisë civile apo aktiviste të privatësisë, përfshirë Future of Privacy Forum (FPF), Bordin e Drejtuesve të IAPP, etj.

Me z. Noah Phillips, Kryetar i Komisionit Federal të Tregtisë

Në vijim, z. Dervishi mori pjesë në cilësinë e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë (ICDPPC), në mbledhjen e 51-të të këtij forumi. Komisioneri Dervishi njohu anëtarësinë me situatën aktuale të organizimit të Konferencës së 41-të Ndërkombëtare në Tiranë, në tetor 2019, si dhe zhvilloi gjithashtu, në cilësinë e bashkëdrejtuesit të Komitetit Ndërkombëtar Këshillimor (PAC) të Konferencës me bashkëdrejtuesin tjetër, z. Peter Hustinx, mbledhjen e radhës të Komitetit.

Në përfundim, z. Dervishi ishte i ftuar dhe mori pjesë në takime me z. Marc Rotenberg, President i Electronic Privacy Information Center (EPIC) dhe z. Stan Crosley nga “Zyrat Ligjore Crosley” (Crosley Law Offices), njëherësh bashkëdrejtues i “Qendrës Ligjore, Etikës dhe Kërkimit të Aplikuar” (CLEAR) të Universitetit të Indianës.

 

Në mjediset e Shtëpisë së Bardhë dhe Komisionit Federal të Tregtisë