|

Kontributi i Zyrës së Komisionerit në aktivitete ndërkombëtare gjatë periudhës gusht-shtator 2021

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në kuadër të angazhimeve të saj ndërkombëtare në të dy fushat e veprimtarisë, ka vijuar pjesëmarrjen aktive në forume, rrjete apo aktivitete të ndryshme gjatë periudhës gusht-shtator 2021. Pavarësisht situatës së diktuar nga pandemia botërore, zhvillimet në këtë aspekt kanë qenë të konsiderueshme, ku Zyra e Komisionerit është anëtare e organeve drejtuese në 3 nga 10 forumet/organizatat ndërkombëtare të bashkëpunimit në të cilat bën pjesë, ashtu si edhe në 11 grupe pune e në 3 nën-komitete, pa përfshirë këtu dhe një sërë iniciativash të tjera afatshkurtra dhe afatmesme.

1. Në cilësinë e anëtares së Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të së Drejtës për Infomim (ICIC), Zyra e Komisionerit ndoqi më 25 gusht webinar-in e 40-të të ICIC, pjesë e sesionit të hapur të edicionit të 12-të të kësaj konference. Tema e këtij aktiviteti ishte “Aksesi në informacion dhe liria e shtypit”. Sesioni i Hapur i ICIC zhvillohet këtë vit nëpërmjet webinar-eve të përmuajshëm tematikë, deri në dhjetor 2021. Mund të ndiqni këtë aktivitet të regjistruar në kanalin e ICIC në Youtube, duke klikuar këtu.

2. Më datë 9 shtator u mbajt mbledhja e fundit, përpara mbarimit të mandatit, të Nën-komitetit të Drejtimit Strategjik (SDSC) të Asamblesë Globale të Privatësisë (GPA), me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të autoriteteve të Australisë, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë. Fokusi i kësaj mbledhjeje ishte edicioni i ardhshëm i Asamblesë Globale të Privatësisë dhe finalizimi i punës së kryer nga Nën-komiteti gjatë vitit 2021. Zyra e Komisionerit do të mbetet e gatshme për të mbështetur Nën-komitetin edhe pas përfundimit të mandatit të saj si anëtare, në tetor 2021.

3. Në datën 9 shtator u zhvillua aktiviteti “Qarkullimi i lirë i të dhënave në Ballkanin Perëndimor” (Free Flow of Data in the Western Balkans), organizuar nga Këshilli Rajonal i Bashkëpunimit (RCC). Zyra e Komisionerit mori pjesë në diskutimet në lidhje me projekt-raportin e RCC mbi “Kuadrin për qarkullimin e lirë të të dhënave në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, si dhe do të vijojë të angazhohet në grupin e punës së institucioneve kombëtare që janë pjesë e iniciativës së qarkullimit të lirë të të dhënave në Ballkanin Perëndimor. Vlen të theksohet, se kjo iniciativë e RCC është në kontekstin e Planit të Veprimit Shumëvjeçar në lidhje me Zonën Ekonomike Rajonale të Ballkanit Perëndimor, miratuar nga liderët e rajonit në Samitin e Triestes, më 12 korrik 2017.

4. Në cilësinë e anëtares vëzhguese të Bordit Evropian të Mbrojtjes së të Dhënave (EDPB), Zyra e Komisionerit mori pjesë në mbledhjen e 54-t të këtij forumi, e cila u zhvillua më 14 shtator 2021.

5. Më 16 shtator, Zyra e Komisionerit u përfaqësua në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të Asamblesë Globale të Privatësisë (GPA). Takimi u përqendrua kryesisht te përgatitjet që autoriteti homolog i Meksikës po bën për edicionin e ardhshëm të kësaj organizate, i cili mbahet në datat 18-21 tetor 2021. Në takim u diskutuan çështje teknike që lidhen me këtë aktivitet, ndërsa në raportimin nga Nën-komiteti i Drejtimit Strategjik të GPA-së u theksua kontributi i Zyrës së Komisionerit për objektivin strategjik të menaxhimit të të dhënave në sektorin publik.

6. Në datat 20, 22, 28 dhe 30 shtator u zhvilluan sesionet e trajnimeve në kuadër të Projektit DECOS (“Zhvillimi i kapaciteteve, bashkëpunimit dhe kulturës së mbikëqyrjes së sektorëve të sigurisë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut”). Tematika e tyre ishte “Mbikëqyrja gjithëpërfshirëse e agjencive të zbatimit të ligjit në Shqipëri”, të trajtuara nga ekspertët holandezë të projektit. Po ashtu, u diskutua edhe në lidhje me temën “Korrupsioni brenda agjencive të zbatimit të ligjit, ndikimi i krimit të organizuar dhe masat e mundshme për mbikëqyrje”, me referues z. Guenther Freisleben, ish-kreu i Policisë së EULEX në Kosovë. Përfaqësuesit e Zyrës së Komisionerit morën pjesë aktive në këto sesione, të cilat janë përmbyllëse të fazës së parë të projektit.

7. Me ftesë të Shoqatës Frankofone të Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave (AFAPDP), Zyra e Komisionerit mori pjesë në datat 27-28 shtator 2021, në edicionin e 7-të të Ditëve të Rrjeteve Institucionale të Frankofonisë, organizuar nga Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë (OIF). AFAPDP është pjesë e 16 rrjeteve institucionale të OIF, ndërsa Zyra e Komisionerit që nga viti 2019 është zgjedhur anëtare e Byrosë së AFAPDP (zëvendëspresidente). Disa nga temat e trajtuara në këtë aktivitet ishin “Gjendja civile”, ku një komponent trajtonte problematikat në lidhje me mbrojtjen e të dhënave, “Lufta kundër dezinformimit”, “Forcimi i shtetit të së drejtës dhe respektimi i të drejtave të njeriut nëpërmjet parandalimit dhe luftës kundër korrupsionit”, “Proceset demokratike”, si dhe “Partneriteti OIF-RIF”.

8. Më 29 shtator, Zyra e Komisionerit ndoqi webinar-in e 5-të Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (ICIC), si pjesë e Sesionit të Hapur të edicionit të 12-të të ICIC. Tema e aktivitetit ishte “Sfidat për transparencën në qeverisjet digjitale: transparenca e administratës publike në përdorimin e inteligjencës artificiale”. Këtë takim mund ta konsultoni në kanalin e ICIC në Youtube, duke klikuar këtu.