Asambleja Globale e Privatësisë (GPA), zhvillohet edicioni i 43-të

Në datat 18-21 tetor 2021 u zhvillua edicioni i 43-të i Asamblesë Globale të Privatësisë (Global Privacy Assembly-GPA). Aktiviteti më i rëndësishëm vjetor i fushës i zhvilloi punimet në një format hibrid – online dhe fizikisht, kushtëzuar nga situata me pandeminë COVID-19 dhe u organizua nga Instituti Kombëtar për Transparencën, Informacionin dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Meksikës (National Institute for Transparency, Access to Information and Personal Data Protection–INAI).

Në Sesionin e Mbyllur të GPA, i mbajtur në datat 20-21 tetor, morën pjesë përfaqësues nga 153 Autoritete anëtare dhe vëzhguese të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë nga mbarë bota. Në të u miratuan 5 dokumente, ku Zyra e Komisionerit ka dhënë kontributin e saj në cilësinë e anëtares së Komitetit Ekzekutiv dhe në 3 Nën-komitete të kësaj organizate:
· Rezoluta për të ardhmen e Asamblesë Globale të Privatësisë dhe Sekretariatit (Zyra e Komisionerit është bashkë-propozuese);
· Rezoluta për planin strategjik 2-vjeçar 2021-23 (Zyra e Komisionerit është bashkë-propozuese);
· Rezoluta për shkëmbimin e të dhënave për të mirën publike;
· Rezoluta për aksesin e qeverisë në të dhënat, privatësinë dhe sundimin e ligjit: parimet për qasjen e qeverisë në të dhënat personale të   mbajtura nga sektori privat për sigurinë kombëtare dhe atë publike;
· Rezoluta për të drejtat digjitale të fëmijëve.

Në punimet e Sesionit të Mbyllur pjesëmarrësit diskutuan edhe për tematika e çështje që kanë të bëjnë me “qarkullimin e të dhënave dhe inovacionin”, “mësimet e nxjerra nga pandemia Covid-19”, “bashkëpunimin ndërkombëtar për zbatimin e ligjit dhe shkëmbimin e eksperiencës” dhe “nxitjen e inovacionit përmes angazhimit”. Po ashtu, u paraqitën dhe miratuan raportet vjetore të Grupeve të Punës të GPA, si dhe u prezantua veprimtaria e disa organizma partnere.

Znj. Blanca Lilia Ibarra Cadena, Presidente e Autoritetit të Meksikës (INAI) u zgjodh në krye të Komitetit Ekzekutiv të GPA me një mandat 2-vjeçar. Ajo zëvendëson në këtë detyrë znj. Elizabeth Denham, Komisioneren e Britanisë së Madhe, pas përfundimit të mandatit dhe drejtimit për 3 vjet të forumit më të lartë drejtues të organizatës.

Asambleja Globale e Privatësisë ka akorduar për herë të parë në këtë edicion Çmimin “Giovanni Buttarelli”, i cili iu dha znj. Shoshana Zuboff, profesore në Shkollën e Biznesit të Universitetit të Harvardit në SHBA, për kontributin e dhënë në këtë fushë nëpërmjet bashkë-autorësisë në librin “Në epokën e mbikëqyrjes kapitaliste” (In the age of surveillance capitalism). Çmimi është njohje për trashëgiminë e lënë nga z. Buttarelli në fushën e mbrojtjes së të dhënave dhe privatësisë.

Në Asamblenë Globale të Privatësisë u anëtarësuan me të drejta të plota Zyra e Komisionerit të Informimit të Kuinslendit në Australi dhe Komisioneri i Mbrojtjes së të Dhënave të Fondit të Tregut Botëror të Abu Dabit. Nga ana tjetër, statusin e vëzhguesit në GPA e morën 8 institucione dhe organizata: Autoriteti Kombëtar i Mbrojtjes së të Dhënave të Brazilit; Bordi i Privatësisë e të Drejtave Civile dhe Byroja për Mbrojtjen Financiare të Konsumatorit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës; Autoriteti i të Dhënave dhe Inteligjencës Artificiale të Arabisë Saudite; Ministria e Transportit dhe Komunikacionit dhe Zyra e Mbrojtjes së të Dhënave të Qendrës Financiare nga Katari; Forumi i Autoriteteve të Privatësisë Azi-Paqësor; si dhe Instituti Ndër-Amerikan për të Drejtat e Njeriut.

Në Sesionin e Hapur, që i zhvilloi punimet në datat 18-19 tetor, u trajtuan tema me interes për komunitetin e profesionistëve të fushës dhe më gjerë. I ndarë në 5 panele kryesore, me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të botës akademike, shoqërisë civile apo biznesit, së bashku me ata nga Autoritetet anëtare/vëzhguese të GPA, u diskutua për “mbrojtjen e të dhënave dhe të drejtat e njeriut, survejimin masiv nëpërmjet njohjes së fytyrës dhe analizën e të dhënave masive” dhe për “promovimin e qasjes etike në funksionimin e organizatave”. Gjithashtu, u trajtuan nga të pranishmit edhe temat “e ardhmja e privatësisë dhe teknologjisë, sfidat dhe zgjidhjet e mundshme”“sfidat e përputhshmërisë, perspektiva e veprimtarisë së personit të kontaktit për mbrojtjen e të dhënave personale (DPO)”, si dhe në lidhje me “statusin e Konventës 108+ të Këshillit të Evropës dhe mundësinë për hartimin e një Traktati për Inteligjencën Artificiale”.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe duke ndihmuar ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes në internet ju duket më interesante dhe e dobishme.

Politikat e privatësisë