“Një çështje ekuilibri: privatësia në epokën e avancimit të shpejtë teknologjik” – edicioni i 44-t i Asamblesë Globale të Privatësisë

Asambleja Globale e Privatësisë (Global Privacy Assembly-GPA) zhvilloi në Stamboll edicionin e saj të 44-t, ku tematika qendrore e aktivitetit më të rëndësishëm vjetor në këtë fushë ishte: “Një çështje ekuilibri: privatësia në epokën e avancimit të shpejtë teknologjik”. Konferenca u mbajt në datat 25-28 tetor 2022 dhe u organizua nga Autoriteti Turk i Mbrojtjes së të Dhënave Personale (KVKK).

Përfaqësues nga 163 autoritete anëtare dhe vëzhguese të organizatës, në punimet e Sesionit të Mbyllur të mbajtur në datat 27-28 tetor, miratuan këto dokumente në funksion të përmirësimit të standardeve rregullatore në këtë fushë:

  • Rezoluta mbi parimet dhe pritshmëritë për përdorimin e përshtatshëm të informacionit personal në teknologjinë e njohjes së fytyrës;
  • Rezoluta për ngritjen e kapaciteteve të bashkëpunimit ndërkombëtar për përmirësimin e rregullores së sigurisë kibernetike dhe kuptimin e dëmeve nga incidenti kibernetik;
  • Rezoluta për ndryshimin e udhërrëfyesit dhe afatit kohor për financimin e Sekretariatit të GPA.

Në punimet e Sesionit të Mbyllur u shpreh vullneti për të promovuar bashkëpunimin ndërkombëtar në zbatimin e harmonizuar të legjislacionit, zgjerimin e kapaciteteve për realizimin e hetimeve proaktive të përbashkëta dhe shkëmbimin e vazhdueshëm të praktikave më të mira. Të pranishmit diskutuan në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me funksionimin e “një mjedisi rregullator botëror për të dhënat personale” ashtu si dhe “perspektivën e një rregullatori rajonal në këtë fushë”. Sipas agjendës, u paraqitën dhe u miratuan raportet vjetore të Grupeve të Punës së GPA. Znj. Blanca Lilia Ibarra Cadena, Presidente e Autoritetit të Meksikës (INAI) u rikonfirmua në krye të Komitetit Ekzekutiv, forumi më i lartë drejtues i organizatës. Në Asamblenë Globale të Privatësisë u anëtarësuan me të drejta të plota Zyra e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave të Kenias; Autoritetet e Transparencës, Aksesit në Informacion dhe Mbrojtje së të Dhënave të shtetit Leoni i Ri dhe Miçoakan në Meksikë; Këshilli i Transparencës dhe Mbrojtjes së të Dhënave të Andaluzisë në Spanjë dhe Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Kalifornisë në SHBA. Ndërsa statusi i vëzhguesit iu akordua organizmave të mbrojtes së fëmijëve (UNICEF) dhe ushqimit (WFP) të Organizatës së Kombeve të Bashkuara; Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes të Danimarkës dhe Zyrës së Privatësisë së Informacionit të Nju Jorkut në SHBA.

Sesioni i Hapur i zhvilloi punimet në datat 25-26 tetor dhe diskutimet u përqendruan në 8 panele të ndryshme, ku u diskutua mbi tema me shumë interes për komunitetin e profesionistëve të privatësisë dhe më gjerë. Me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të botës akademike, shoqërisë civile, biznesit, medias etj, së bashku me ata të autoriteteve anëtare/vëzhguese të GPA, u fol për sfidat e inteligjencës artificiale në raport me legjislacionin, etikën dhe demokracinë; shqetësimet në lidhje me përdorimin e teknologjisë së njohjes së fytyrës; ndërveprimin ndërmjet të drejtave të konsumatorit, konkurrencës dhe privatësisë, rolin e sektorit privat në përdorimin e teknologjive të mbikëqyrjes, apo të dhënat e mëdha (big data) në këndvështrimin e privatësisë. Me interes u ndoq edhe trajtimi i temave që kanë të bëjnë me mbikëqyrjen masive në rrjet; blockchain dhe metaverse – privatësia dhe mbrojtja e të dhënave; raporti i besimit mes digjitalizimit dhe privatësisë; kuadri rregullator për të dhënat ndërkufitare dhe efikasiteti i mekanizmave të zhvilluar për transferimin e këtyre të dhënave. Ndërkohë, që vëmendje iu kushtua edhe diskutimit për rreziqet e privatësisë për grupet e cenueshme; mbrojtjen e të dhënave personale të fëmijëve në epokën digjitale, si dhe bashkëpunimin për menaxhimin e fatkeqësive/krizave dhe ndihmën humanitare.

Në punimet e Sesionit të Hapur të GPA u mbajt edhe ceremonia e akordimit të Çmimit “Giovanni Buttarelli”, ku këtë vit në vlerësimi të kontributit të saj të çmuar në këtë fushë ai ju dha znj. Elizabeth Denham, ish-Komisionere e Britanisë së Madhe.

Më shumë rreth GPATurkiye.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe duke ndihmuar ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes në internet ju duket më interesante dhe e dobishme.

Politikat e privatësisë