Ligji nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” ka si qëllim garantimin e ushtrimit të kësaj të drejte dhe lirie themelore nga qytetarët dhe rritjen e transparencës e llogaridhënies së autoriteteve publike.
Ministria e Drejtësisë dhe Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale organizuan takimin konsultativ për diskutimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 119/2014 “Për të drejtën e informimit”. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm përfaqësues të autoriteteve publike, të organizatave të shoqërisë civile dhe medias. Këto përmirësime synojnë të forcojnë rregullat dhe procedurat e legjislacionit aktual në këtë fushë, duke ofruar zgjidhje optimale në njohjen me informacionin publik, si dhe për të konsoliduar kulturën e përgjegjshmërisë të administratës publike.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri, z. Ulsi Manja, tha: “Ky takim vjen në vijim të një procesi shumë intensiv konsultimi publik të këtij projektakti. Përgjatë tij janë shqyrtuar dhe marrë në konsideratë një sërë propozimesh konkrete nga aktorë të shoqërisë civile, të cilat janë reflektuar tashmë në këtë variant. Në rolin e dyfishtë të Ministrit të Drejtësisë dhe Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit, monitorojmë me shumë vigjilencë të gjithë masat për forcimin e transparencës në Strategjinë Ndërsektorale kundër Korrupsionit. Gjetjet nga raportet e monitorimit përbëjnë një arsye më shumë për të nxitur çdo iniciativë që synon rritjen e llogaridhënies publike, përmes transparencës. Para së gjithash, projektligji synon të realizojë dy objektiva themelorë: të shtojë detyrimet ligjore që mbartin autoritetet publike, si dhe të forcojë mekanizmat që garantojnë zbatimin e detyrimeve që burojnë nga ky ligj.”
Nga ana e tij, Komisioneri, z. Besnik Dervishi, theksoi se pavarësisht se situata vijon të paraqesë problematika nga pikëpamja e transparencës së autoriteteve publike, kjo e fundit, ka ardhur në përmirësim, nga viti në vit. “Gjej rastin të vlerësoj bashkëpunimin dhe ndërveprimin me Ministrinë e Drejtësisë, për të harmonizuar në një produkt përfundimtar propozimet e Zyrës së Komisonerit, atyre të autoriteteve publike, por edhe të qytetarëve apo grupeve të interesit. Ndryshimet e ligjit synojnë të përmirësojnë mekanizmat e dhënies së informacionit e dokumentacionit kërkuesit, të forcojnë kompetencat e autoritetit mbikëqyrës, të rrisin efektivitetin e autoriteteve publike në këtë fushë, si dhe të konsolidojnë rolin e koordinatorit për të drejtën e informimit. Përmbushja e detyrimeve si për transparencën proaktive – nëpërmjet publikimit/përditësimit të Programit të Transparencës; ashtu edhe në rastin e dërgimit të kërkesës për informacion, ka për qëllim përfundimtar kontrollin efektiv të veprimtarisë së institucioneve/strukturave shtetërore nga qytetarët. Ushtrimi i të drejtës për informim është, gjithashtu, edhe pjesëmarrje e tyre në mirëqeverisje, në funksion të interesit publik.”
Konstatimi i problematikave, të cilat janë bërë prezent në vijimësi në Raportet Vjetore të Zyrës së Komisonerit, kanë sjellë domosdoshmërinë për të përmirësuar kuadrin ligjor në këtë fushë. Kjo iniciativë vjen e kombinuar edhe me procesin e modernizimit të legjislacionit të mbrojtjes së të dhënave personale, duke transpozuar në kuadrin rregullator kombëtar Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR) të Bashkimit Evropian (BE). Qasja konstante e Zyrës së Komisionerit ka qënë dhe mbetet edukimi dhe kultivimi i kulturës së transparencës për autoritetet publike.
Ndër ndryshimet kryesore në këtë projektligj është përfshirja dhe zgjerimi i kompetencave të Komisionerit në fushën e të drejtës për informim, të cilat janë të listuara në ligjin aktual për mbrojtjen e të dhënave personale. Roli i Zyrës së Komisionerit konsolidohet akoma edhe më shumë, çka mundëson forcimin e veprimtarisë mbikëqyrëse të institucionit në kuadër të garantimit të ushtrimit në praktikë të të drejtës për informim nga qytetarët. Një risi tjetër, është detyrimi i autoritetit publik për zbatimin e vendimmarrjes së Komisionerit, mospërmbushja e së cilës pasohet me sanksion administrativ për titullarin e autoritetit publik.
Një nga çështjet më të rëndësishme që është adresuar në këtë dokument, është përcaktimi i saktë dhe konkret i përgjegjësisë për mospërmbushjen e dispozitave të legjislacionit për të drejtën e informimit. Zyra e Komisionerit, nga ushtrimi i hetimeve administrative në autoritetet publike, ka konstatuar në shumë raste se përgjegjësia për mosdhënien e informacionit nuk ka qenë e drejtpërdrejtë e koordinatorit. Por ligji aktual njeh si përgjegjës në procesin e trajtimit të kërkesës për informim vetëm këtë të fundit, i cili pavarësisht se i ka përmbushur kompetencat, ngarkohet me përgjegjësi administrative për mosdhënien e informacionit. Adresimi i kësaj problematike ka për qëllim të qartësojë e të forcojë rolin e koodrinatorit brenda strukturës së autoritetit publik. Ky përmirësim, kombinuar edhe me përfitimin e një shtese në pagë për natyrën e veçantë të punës të koordinatorit, do të ndikojë në rritjen e profesionalizmit dhe përgjegjshmërisë së nëpunësit përballë qytetarëve. Një tjetër ndërhyrje përmirësuese është edhe rishikimi me ulje i kufijve të poshtëm të sanksioneve për dënimin e shkeljeve për mospërmbushje të detyrimeve ligjore. Këto ndryshime synojnë të vendosin një raport më të drejtë dhe proporcional me të ardhurat në administratën publike.
Projektakti është një kontribut për ta bërë legjislacionin e të drejtës për informim akoma edhe më të mirë, si dhe shprehje e vokacionit për një qeverisje me pjesëmarrjen e publikut. Këto ndryshime përmirësuese kanë patur në qendër të vemëndjes shqetësimet e qytetarëve apo grupeve të interesit. Ato synojnë të ofrojnë zgjidhjet më të përshtatshme në këtë drejtim, si dhe të ndikojnë në reduktimin e hapësirave për korrupsion, duke rritur besimin e publikut te administrata. Edhe në këtë takim konsultativ, përfaqësues të shoqërisë civile ofruan ide e sugjerime të tjera përmirësuese, të cilat do të vlerësohen me seriozitet për të adresuar sa më mirë problematikat e hasura gjatë zbatimit në praktikë të ligjit 119/2014.