Standarde të larta për mbrojtjen e të dhënave personale

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale zbatoi me Qendrën Shqiptare për Zhvillim të Qendrueshëm (ASDO), me mbështetjen e Ambasadës Zvicerane në Tiranë, projektin “Siguria kibernetike dhe mbrojtja e të dhënave në Shqipëri”. Në ceremoninë e mbylljes së tij u theksua qasja ndërgjegjësuese, si një nga mënyrat efikase për forcimin e kulturës së respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve.

Në fjalën e tij përshëndetëse në këtë aktivitet, Komisioneri, z. Besnik Dervishi, vlerësoi maksimalisht bashkëpunimin me përfaqësinë diplomatike dhe shtetin zviceran, ashtu si edhe me shoqatën ASDO. “Është një nga përvojat më të mira që Zyra e Komisionerit ka patur ndër vite. Cilësia që ka prekur ky projekt është shumë e lartë, me takime me përfaqësues nga sistemi bankar, sektori shëndetësor, bota akademike, arsimi parauniversitar, etj. Miratimi dhe hyrja në fuqi e legjislacionit të ri të mbrojtjes së të dhënave personale, i përafruar me atë të bashkimit Evropian (GDPR), është një sfidë jo vetëm për Zyrën e Komisionerit. Institucioni ka programuar një fushatë të gjerë ndërgjegjësuese vitin e ardhshëm, pikërisht, për rëndësinë që ka përdorimi i sigurt dhe me standardet më të larta i të dhënave personale të qytetarëve, si nga kontrolluesit publik, ashtu edhe nga ata privat.”

Aktiviteti u përshëndet edhe nga znj. Erisa Lame, nga Ambasada e Zvicrës, znj. Ada Ilia, drejtuese e shoqatës ASDO dhe z. Endri Xhina, nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës. Në këtë takim, morën pjesë përfaqësues të institucioneve të ndryshme, nga bota akademike, shoqëria civile dhe biznesi.

                                

Përparimi teknologjik dhe digjitalizimi mundëson që shumë procese dhe shërbime të kryhen në mënyrë të automatizuar. Cilësia dhe siguria e tyre e lartë nuk mund të kuptohet pa një mjedis të përshtatshëm kibernetik, kombinuar kjo edhe me përmbushjen e detyrimeve ligjore në procesin e përpunimit të të dhënave personale.

Për të pranishmit, u prezantua platforma inso.al, e cila ka si objektiv edukimin dhe ndërgjegjësimin e publikut mbi sigurinë kibernetike, mbrojtjen e të dhënave personale apo dhe mundësinë e ofrimit të trajnimeve për profesionistë të këtyre fushave. Njëkohësisht, u paraqit dhe studimi mbi “Vlerësimin e nivelit të ndërgjegjësimit për sigurinë e informacionit, mbrojtjen e të dhënave dhe sigurinë kibernetike në Shqipëri”, i kryer përgjatë periudhës së zbatimit të projektit kryesisht me organizata dhe biznese. Ndër gjetjet dhe rekomandimet kryesore të tij janë ato për: njohjen në tërësi të kuadrit ligjor dhe sidomos, atij për mbrojtjen e të dhënave personale; hartimin e planeve/masave të detajuara të sigurisë së të dhënave dhe asaj kibernetike; përditësimin e vazhdueshëm të pajisje e sistemeve dhe përcaktimin e procedurave në rastet e cenimit të tyre apo të të dhënave; trajnimin në vijimësi të stafit, etj. Zyra e Komisionerit mirëpret dhe është e gatshme për të bashkëpunuar në realizimin e çdo iniciative/projekti që ka në qendër garantimin e kësaj të drejte të qytetarëve.