|

Rëndësia e hapësirës online për aksesin në informacion

Me temë “Rëndësia e hapësirës online për aksesin në informacion”, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO) dhe Universiteti i Oksfordit në Britani, zhvilluan konferencën me rastin e 28 Shtatorit – Ditës Ndërkombëtare për të Drejtën e Informimit.

Në këtë aktivitet mori pjesë për të herë të parë edhe Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Po ashtu të pranishëm ishin edhe përfaqësues të institucioneve anëtare të Komitetit Ekzekutiv të Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (ICIC), përfaqësues nga shoqëria civile dhe aktorë të tjerë që kontribuojnë në fushën e qasjes/aksesit në informacionin me karakter publik në nivel ndërkombëtar.

Në fokus të diskutimeve ishte shkëmbimi i ideve për fuqizimin e standardeve për ushtrimin e kësaj të drejte, duke marrë në konsideratë zhvillimin e teknologjisë dhe hapësirës digjitale. Në këtë frymë, konferenca ishte e ndarë në tre panele të ndryshme, ku u diskutuan temat: “Lidhja me internetin si një mundësues i aftësisë për të ushtruar të drejtat, me një fokus të veçantë në aksesin në informacion”; “Teknologjia për demokracinë dhe zhvillimi i qendrueshëm”, si dhe “Perspektiva e gjyqësorit dhe rregullatorëve të informimit për aksesin dhe lidhjen në internet”.

UNESCO luan një rol qendror në promovimin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtës për Informim që prej vitit 2015, kur kjo organizatë e njohu zyrtarisht këtë datë. 28 Shtatori ka për qëllim promovimin dhe avokimin e aksesit në informacion, si një e drejtë themelore e njeriut dhe një gur themeli i qeverisjes së mirë dhe demokracisë.