Asambleja e 45-të Globale e Privatësisë

Asambleja Globale e Privatësisë (Global Privacy Assembly-GPA), aktiviteti më i rëndësishëm vjetor i fushës, zhvilloi punimet e edicionit të 45-të në datat 16-20 tetor 2023. Me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga 169 autoritete anëtare e vëzhguese, nga shoqëria civile, bota akademike, grupet e interesit, media, etj, takimi u organizua nga Autoriteti i Mbrojtjes së të Dhënave Personale të Bermudas (OPC), nën moton “Valë, Dallgë, Rryma”.

Gjatë punimeve të Sesionit të Mbyllur, të mbajtur në datat 18-20 tetor, u miratuan këto dokumente, të cilat do të nxisin forcimin e bazës rregullatore në këtë fushë:

  • Rezoluta mbi inteligjencën artificiale në çështjet e punësimit;
  • Rezoluta për sistemet gjeneruese të inteligjencës artificiale;
  • Rezoluta për arritjen e standardeve globale në mbrojtjen e të dhënave personale;
  • Rezoluta për të dhënat personale shëndetësore;
  • Rezoluta për mbrojtjen e të dhënave personale me perspektivë gjinore;
  • Rezoluta për ngritjen e bibliotekës së GPA;
  • Rezoluta për “Çmimin për të drejtat e njeriut dhe privatësinë”.

Punimet e Sesionit të Mbyllur u përqendruan në diskutimin e ndikimit të teknologjisë dhe digjitalizimit në përpunimin e të dhënave personale; përmirësimin e qeverisjes dhe garantimin e të drejtave nëpërmjet përdorimit të teknologjive të reja dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimin e praktikave më të mira. Sipas agjendës, u paraqitën dhe u miratuan raportet vjetore të Grupeve të Punës së GPA. Me vendimmarrje unanime të anëtarësisë së organizatës u pranuan me të drejta të plota autoritetet e mbrojtjes së të dhënave personale të Brazilit, Nigerit dhe Nigerisë. Ndërsa, do të kenë statusin e vëzhguesit institucionet e Angolës, Bardadosit dhe Panamasë; Raporteri Special për të Drejtën e Privatësisë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara; Zyra e Shtëpisë së Bardhë për Politikat në Shkencë dhe Teknologji, Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare dhe Zyra për të Drejtat Civile, Privatësinë dhe Transparencën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sesioni i Hapur zhvilloi punimet në datat 16-17 tetor dhe diskutimet u përqendruan në 9 panele të ndryshme, ku u diskutua mbi tema me shumë interes për komunitetin e profesionistëve të privatësisë dhe më gjerë. Me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të botës akademike, shoqërisë civile, biznesit, medias etj, së bashku me ata të autoriteteve anëtare/vëzhguese të GPA, u fol për strategjitë e politikave për teknologjinë; problematikat e përdorimit të inteligjencës artificiale në optikën e kuadrit rregullator; nxitjen e ndërveprimit të autoriteteve të mbrojtjes së të dhënave me institucionet rregullatore të fushave të tjera, apo dhe raportin mes shërbimeve financiare dhe mbrojtjen e të dhënave. Tema të tjera që u ndoqën me interes nga të pranishmit ishin edhe ato në lidhje me vlerësimin e risqeve në këtë fushë; kuadri modern rregullator në raport me popullsitë indigjene; mekanizmat e transferimit ndërkombëtar të të dhënave dhe domosdoshmëria e bashkëpunimit; si dhe nevoja për më shumë veprim nga autoritet në funksion të garantimit të standardeve më të larta për mbrojtjen e të dhënave personale. Gjatë punimeve të Asamblesë u mbajtën edhe një sërë takimesh paralele të organizuara nga rrjete rajonale të autoriteteve apo institucione të fushës, organizata profesionistësh apo ndërkombëtare, grupe interesi, etj.

Në punimet e Sesionit të Hapur të GPA u mbajt edhe ceremonia e Çmimit “Giovanni Buttarelli”, ku këtë vit në vlerësim të kontributit të saj të çmuar ju akordua znj. Andrea Jelinek, ish-Kryetarja e parë e Bordit Evropian të Mbrojtes së të Dhënave (EDPB) dhe aktualisht Komisionere e Austrisë.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe duke ndihmuar ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes në internet ju duket më interesante dhe e dobishme.

Politikat e privatësisë