Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, ishte i ftuar në një intervistë në seksionin në gjuhën shqipe të Zërit të Amerikës (Voice of America – VoA).
I pyetur mbi situatën e zbatimit të legjislacionit për të drejtën e informimit në vendin tonë, Komisioneri, ndër të tjera theksoi, se: “si në çdo fushë të veprimtarisë, si për çdo të drejtë dhe liri themelore të njeriut, situata është komplekse, pasi ndikojnë shumë faktorë. Është e vërtetë që ligji për të drejtën e informimit dhe këtë besoj se e pranojnë të gjithë, është një ligj i mirë, ai është përmirësuar akoma edhe më shumë me ndryshimet që ju bënë vitin e kaluar. Besoj se është bërë një proces model i konsultimit publik, me të gjithë grupet e interesit, me median investigative, me shoqërinë civile, për të patur një ligj sa më të mirë. Të gjitha sugjerimet e bëra u reflektuan, ndërsa disa problematika për të cilat media apo shoqëria civile nuk ishin dakord, natyrisht, që nuk u reflektuan në ndryshimet që u miratuan. Dhe kjo është e rëndësishme, ligji vijon të jetë një nga më të mirët në botë. Përsa i përket zbatimit të tij, ligji parashikon një instrument që është shumë i rëndësishëm, institutin e Programit të Transparencës, që përbën transparencën proaktive të institucioneve, që nënkupton informacionin që vetë autoritetet publike duhet të bëjnë publike pa kërkesë të qytetarit apo të interesuarve. Transparenca në vetvete është kulturë, të cilën edhe për shkak të historisë sonë nuk e kemi të trashëguar, është një kulturë e re që po e kultivojmë. Me ligjin për të drejtën e informimit ne jemi shumë pranë ndryshimit revolucionar të mentalitetit të autoriteteve publike.”
Ndërsa, i pyetur mbi zbatimin e legjislacionit në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, Komisioneri tha, se: “sa më shumë zhvillime teknologjike të ketë, aq më shumë rriten rreziqet. Ajo që është kryesore dhe thelbësore është marrja e masave të përshtatshme të sigurisë. Vendi duhet të ketë një legjislacion të fortë dhe ne jemi duke ecur mirë në këtë drejtim. Kemi miratuar Konventën përkatëse të Këshillit të Evropës dhe jemi në proces të transpozimit të Rregullores së Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR) të Bashkimit Evropian. Por nga ana tjetër, kërkohen investime në burime njerëzore, kërkohen burime financiare, kërkohen trajnime të vazhdueshme, për të marrë masat e duhura të sigurisë. Sa më shumë shërbime online të ofrohen, që është diçka e mirë për qytetarët, aq më shumë kërkohet marrja e masave të sigurisë për të mbrojtur të dhënat personale, për të mbrojtur identitetin e çdo qytetari.”