Search

Zbatimi i kuadrit ligjor nga administrata tatimore dhe ajo doganore

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në bashkëpunim me Qendrën e Trajnimit të Administratës Tatimore dhe Doganore në Ministrinë e Financave zhvilluan një modul trajnimi 2-ditor. Në këtë aktivitet morën pjesë më shumë se 70 nëpunës të nivele dhe strukturave të ndryshme qendrore dhe vendore të këtyre institucioneve, të cilët u njohën me përmbushjen e detyrimeve të legjislacionit në fuqi për të dy fushat e përgjegjësisë të Zyrës së Komisionerit, rolin e funksionet e institucionit, si dhe zbatimin e këtij kuadri rregullator në raport me veprimtarinë e administratës tatimore dhe asaj doganore.

Vëmendje iu kushtua, nëpërmjet paraqitjes së rasteve konkrete të shqyrtuara nga autoriteti ndër vite, nxitjes dhe forcimit të transparencës proaktive të këtyre institucioneve, trajtimit të dy të drejtave në balancë dhe në proporcionalitet me njëra-tjetrën, apo marrjes së masave të duhura tekniko-organizative për nivel të lartë sigurie në proceset e përpunimit të të dhënave personale. Në optikën e zhvillimeve teknologjike dhe digjitalizimit të shërbimeve, njëkohësisht, kërkohet bashkëpunim e ndërveprim me përgjegjshmëri dhe transparencë me qytetarët apo grupet e interesit, për garantimin e ushtrimit të këtyre të drejtave në praktikë. Përmbushja e detyrimeve ligjore, si në fushën e të drejtës për informim ashtu edhe atyre për mbrojtjen e të dhënave personale, forcon kulturën e integritetit dhe llogaridhënies në ushtrimin e funksioneve të administratës tatimore dhe asaj doganore.

Zyra e Komisionerit mirëpret çdo iniciativë për zhvillimin e trajnimeve të kësaj natyre edhe me institucione të tjera të rëndësishme të administratës shtetërore/publike.