Asambleja Globale e Privatësisë, edicioni i 46-të

Në datat 28 tetor-1 nëntor 2024 u zhvilluan punimet e edicionit të 46-të të Asamblesë Globale të Privatësisë (Global Privacy Assembly-GPA), duke shënuar ngjarjen kryesore vjetore në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale. Nën titullin qendror “Fuqia e i” (The power of i), ky aktivitetit i fokusoi punimet në 8 tematika të rëndësishme mbi: individin, inovacionin, informacionin, integritetin, pavarësinë, ndërkombëtarizimin, shkëmbimin ndërkulturor dhe vetëvendosjen/autoktonen (individuals, innovation, information, integrity, independence, international, intercultural, indigenous). I organizuar nga Autoriteti i Mbrojtjes së të Dhënave Personale të ishullit të Xherseit (JOIC), kjo konferencë mblodhi përfaqësues të mbi 160 autoriteteve anëtare e vëzhguese të GPA, nga bota akademike, shoqëria civile, biznesi dhe grupet e interesit, profesioneve të lira, medias, etj

Përgjatë punimeve të Sesionit të Hapur (28-30 tetor) u diskutuan dhe trajtuan çështje të ndjeshme në lidhje me respektimin dhe balancimin e fuqisë së informacionit me domosdoshmërinë që qytetarët kanë në kontrollin e të dhënave të tyre personale. Tematikat e prekura kishin të bënin me përcaktimin e dëmeve të privatësisë në botën moderne; mbrojtjen e të dhënave dhe shëndetin mendor; ndikimin e teknologjisë mbi autoritetet rregullatore apo dhe përparësitë dhe sfidat e mjeteve të transferimit të të dhënave. Njëkohësisht të pranishmit diskutuan edhe mbi rolin e privatësisë së të dhënave në krizat humanitare; reduktimin e pabarazive në të drejtat e privatësisë – eksplorimin e dimensioneve të ndryshme të privatësisë së diversitetit; ndarjen e të dhënave ndërmjet qeverisë dhe palëve të treta, etj. Ky dialog konstruktiv ka si objektiv forcimin e efektivitetit të modeleve aktuale ligjore, dhe nga ana tjetër, të nxisë mënyrat për përmirësimin e tyre në përshtatje me ndryshimet teknologjike. Konferenca, po ashtu, promovon rritjen e aftësive të individëve në vetëmenaxhimin e të dhënave personale, si dhe për forcimin e kulturës së përgjegjshmërisë dhe transparencës gjatë përdorimit këtyre të dhënave.

Gjatë punimeve të Sesionit të Mbyllur (31 tetor-1 nëntor), u miratuan këto dokumente, të cilat do të nxisin akoma më shumë forcimin e bazës rregullatore në këtë fushë:

  • Rezoluta për inkurajimin dhe përdorimin e mekanizmave të certifikimit në mbrojtjen e të dhënave;
  • Rezoluta për teknologjitë e mbikëqyrjes nga organet ligjzbatuese dhe mbrojtjen e të drejtave të individëve për privatësi;
  • Rezoluta për shkëmbimin e lirë dhe me besim të të dhënave dhe për rregullimin efektiv të flukseve globale të të dhënave;
  • Rezoluta mbi parimet e përpunimit të informacionit personal në neuroshkencë dhe neuroteknologji;
  • Rezoluta mbi Rregullat dhe Procedurat e GPA.

Gjatë punimeve të këtij Sesioni, përfaqësuesit e autoriteteve anëtare dhe vëzhguese, trajtuan çështje mbi forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe avancimin e përpjekjeve të rëndësishme të GPA për promovimin e standardeve më të larta në respektimin e kësaj të drejte themelore. Kjo konferencë përbën platformën e përshtatshme për një dialog të hapur, shkëmbimin e eksperiencave dhe ideve, por edhe diskutimin e propozimeve e zgjidhjeve për problematikat ekzistuese apo atyre në të ardhmen, në mbrojtjen e duhur të të dhënave dhe privatësisë në epokën digjitale. GPA mbetet forumi kryesor ndërkombëtar dhe më me ndikim në procesin e vendimmarrjes mbi politikat publike në këtë fushë. Sipas agjendës së këtij Sesioni, u paraqitën dhe u miratuan raportet vjetore të Grupeve të Punës të GPA, ndërsa u diskutua gjerësisht edhe me organizatat partnere. Sipas traditës, gjatë punimeve të Asamblesë u mbajtën edhe një sërë takimesh paralele të organizuara nga rrjete rajonale të autoriteteve apo institucione të kësaj fushe, nga organizata të shoqërisë civile, biznesi, grupet e interesit, etj.

Këtë vit, në vlerësim të kontributit të tij profesional Çmimi “Giovanni Buttarelli” iu akordua z. Bruno Gencarelli, aktualisht pjesë e kabinetit të Komisionerit të BE për Drejtësinë Didier Reynders.