“Mësuam nga e tashmja, sollëm të renë” – 2025, ligji i ri “Për mbrojtjen e të dhënave personale”

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale zhvilloi një pritje në kuadër të miratimit të ligjit të ri për mbrojtjen e të dhënave personale, i cili parashikohet të hyjë në fuqi në vitin 2025. Në këtë takim morën pjesë Ministri i Drejtësisë, z. Ulsi Manja; Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni; Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, z. Nasip Naço; Avokatja e Popullit, znj. Erinda Balanca; Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, z. Robert Gajda, përfaqësues nga Kuvendi, Ministria e Drejtësisë, ekspertë dhe bashkëpunëtorë.

Në fjalën e mbajtur në këtë ceremoni, Komisioneri Besnik Dervishi theksoi se: “Sot, me ligjin e ri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, vendi ynë ka siguruar standardet më të larta, të përcaktuara edhe në Rregulloren e Përgjithshme të BE për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, GDPR.”

Z. Dervishi falenderoi të gjithë aktorët e përfshirë në procesin që zgjati 4 vite, deri në finalizimin e tij, me miratimin e ligjit të ri, të përafruar plotësisht me kuadrin rregullator të BE.

Ministri i Drejtësisë, z. Ulsi Manja vlerësoi këmbënguljen e Komisionerit Dervishi për të shtyrë përpara procesin deri në miratimin e ligjit të ri. Ai tha se ky ligj ofron garanci për qytetarët shqiptarë, njësoj si për ata evropianë. Gjithashtu, është një garanci më shumë edhe për biznesin. Z. Manja vuri në dukje se tani është sfidë zbatimi i ligjit dhe se ai duhet të jetë përgjegjësi e të gjithë institucioneve dhe jo vetëm e Komisionerit.

Ministrja Pirdeni vlerësoi se ligji për mbrojtjen e të dhënave personale ishte një nga më kompleksët dhe një meritë e madhe i takon Zyrës së Komisionerit. Sipas asaj, miratimi i ligjit erdhi si produkt dhe sinergji e një sërë faktorësh, që e kanë shtyrë atë përpara.

Kryetari i Komisionit të Sigurisë, z. Naço vlerësoi se është bërë një punë e mirë me hartimin e ligjit dhe janë shpenzuar shumë energji për të arritur produktin më të mirë të mundshëm, të përafruar plotësisht me legjislacionin e BE.

Ky ligj sjell risi që ecin paralelisht me zhvillimet teknologjike dhe digjitalizimin e shërbimeve, si: mënyra të reja të dhënies së pëlqimit; e drejta për t’u harruar; konceptet inovative, si transferueshmëria e të dhënave; privatësia në projektim dhe në mënyrë të paracaktuar; si dhe parashikon sanksione më të forta për shkeljet e dispozitave të tij. Përafrimi i kuadrit rregullator kombëtar me atë të BE, konsolidon dhe funksionet e Zyrës së Komisionerit për t’iu përgjigjur më mirë sfidave e problematikave të cenimit të privatësisë dhe mbrojtjen e duhur të të dhënave personale.