Komisioneri Dervishi dhe Ministri Gonxhja nënshkruajnë udhëzimin “Për licensën standarde të ripërdorimit të informacionit të sektorit publik”

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, ka nënshkruar udhëzimin e përbashkët me Ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, z. Blendi Gonxhja “Për miratimin e licencës standarde të ripërdorimit të informacionit të sektorit publik”.

Ky udhëzim vjen në mbështetje të nenit 11, pika 2 dhe nenit 22, pika 2, të ligjit nr. 33, datë 31.03.2022 “Për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit të sektorit publik” dhe ka për qëllim miratimin e licensave për ripërdorimin e të dhënave të hapura në Republikën e Shqipërisë.

Licensat janë të unifikuara me standardet e Bashkimit Evropian dhe i përkasin familjes së licensave Creative Commons CC. Licensat standarde për ripërdorimin e informacionit në sektorin publik do të ofrojnë siguri juridike për përdorimin, në mënyrë që informacionet të përdoren lirisht nga të gjithë, me kushtin kryesor që burimi i të dhënave të citohet sipas kërkesave të licensës. Po ashtu licensa do të jetë në format elektronik dhe do të shoqërojë informacionin që do të publikohet nga organet e sektorit publik dhe sipërmarrjet publike në faqet e tyre zyrtare dhe në portalin e të dhënave të hapura, opendata.gov.al.

Ky udhëzim pas botimit në Fletoren Zyrtare do të zbatohet nga organet e sektorit publik, sipërmarrjet publike në Republikën e Shqipërisë dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe duke ndihmuar ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes në internet ju duket më interesante dhe e dobishme.

Politikat e privatësisë