Trajnimi i Nëpunësve për Mbrojtjen e të Dhënave, Zyra e Komisionerit nënshkruan marrëveshje me Kolegjin Universitar të Biznesit

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, në cilësinë e autoritetit mbikëqyrës për monitorimin e zbatimit të ligjit nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Institucionin e Arsimit të Lartë “Kolegji Universitar i Biznesit”, përfaqësuar nga Rektori, Prof. Dr. Ylber BEZO. Kjo marrëveshje vjen si rezultat i shprehjes se interesit nga ana e Kolegjit Universitar të Biznesit për bashkëpunim me Zyrën e Komisionerit në ofrimin e trajnimeve për programin e formimit dhe kualifikimit profesional të Nëpunësve të Mbrojtjes së të Dhënave (DPO).

Komisioneri Dervishi në fjalën e tij vlerësoi iniciativën e Kolegjit Universitar të Biznesit për t’i paraprirë procesit të trajnimit, ndërkohë që theksoi se përpunimi i të dhënave personale konform ligjit është shumë i rëndësishëm, prandaj dhe roli i Nëpunësve për Mbrojtjen e të Dhënave Personale është kyç. Duke i cilësuar të dhënat personale si identiteti i gjithësecilit, z. Dervishi u shpreh se ligji i ri për mbrojtjen e të dhënave personale është i përafruar tërësisht me Rregulloren e Përgjithshme të Bashkimit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR).

Rektori i Kolegjit Universitar të Biznesit, z. Ylber Bezo kërkoi mbështetjen profesionale të Zyrës së Komisionerit, ndërkohë që garantoi se institucioni që ai drejton ka gjithë angazhimin dhe përkushtimin për ta bërë këtë marrëveshje të suksesshme, përmes trajnimit të Nëpunësve të Mbrojtjes së të Dhënave.

Në bazë të pikës 6 të nenit 34 të ligjit “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, trajnimi i DPO-ve mund të realizohet ndër të tjera nga institucione të arsimit të lartë vendase ose të huaja.

Objekti i marrëveshjes së nënshkruar është përcaktimi i kushteve të bashkëpunimit ndërmjet Palëve për zhvillimin e aktiviteteve për realizimin e trajnimeve të programit të formimit dhe kualifikimit profesional të Nëpunësve të Mbrojtjes së të Dhënave. Bashkëpunimi do të konsistojë në hartimin e një moduli për trajnimin dhe formimin profesional të DPO-ve, organizimin e trajnimeve me qëllim formimin e profesionistëve të interesuar në ushtrimin e rolit të Nëpunësit të Mbrojtjes së të Dhënave Personale.