Berlin, 25 qershor 2025 – Në përfundim të punimeve tre-ditore të Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve për të Drejtën e Informimit (ICIC), të zhvilluar në Berlin, Shqipëria është zgjedhur në mënyrë unanime në krye të Presidencës së këtij forumi për periudhën 2025–2027.
Zgjedhja e Shqipërisë në këtë rol të rëndësishëm ndërkombëtar përbën një njohje të qartë të përkushtimit dhe profesionalizmit të institucionit të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Në fjalën e tij përmbyllëse, Komisioneri Besnik Dervishi shprehu mirënjohjen për besimin e dhënë nga anëtarët e forumit:
“Së pari dëshiroj t’ju falënderoj thellësisht që na besuat sërish ne për të vijuar si Presidencë dhe Sekretariat për periudhën 2025 – 2027. Kemi ndarë sfida dhe eksperienca, kemi identifikuar objektiva të përbashkëta dhe kemi rikonfirmuar rolin e pakontestueshëm që e drejta për informim luan në ndërtimin e shoqërive të hapura dhe të qëndrueshme.”
Konferenca e ICIC, e cila u mbajt nga data 23 deri më 25 qershor 2025, mblodhi në Berlin përfaqësues të institucioneve të pavarura, organizatave të shoqërisë civile dhe ekspertë nga e gjithë bota, për të diskutuar çështje kyçe që lidhen me transparencën, llogaridhënien dhe aksesin në informacion publik.
Tema kryesore e edicionit të këtij viti ishte “Aksesi në informacionin mjedisor në epokën digjitale”, duke vënë theksin te nevoja për informim të saktë dhe në kohë për çështje mjedisore, në një epokë kur teknologjia ka transformuar mënyrën se si qytetarët marrin dhe përdorin informacionin publik.
Programi i konferencës përfshiu panele të shumta tematike mbi:
- rolin e teknologjisë në përmirësimin e transparencës;
- sfidat e komisionerëve në garantimin e qasjes në informacion mjedisor;
- përfshirjen e shoqërisë civile dhe ndarjen e praktikave të mira midis institucioneve homologe.
Në kuadër të konferencës, Komisioneri Dervishi zhvilloi edhe një takim bilateral me Komisioneren Federale të Gjermanisë për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Lirinë e Informacionit, znj. Louisa Specht-Riemenschneider. Dy homologët vlerësuan marrëdhëniet pozitive mes institucioneve respektive dhe shprehën gatishmërinë për forcimin e bashkëpunimit në fushat e transparencës dhe mbrojtjes së të dhënave.
Sesionet përmbyllëse të konferencës, ku u diskutua mbi zhvillimet e fundit në fushën e të drejtës për informim sipas kontinenteve, u trajtuan çështje administrative si zgjedhja e vendit pritës të konferencës së ardhshme në vitin 2027, u prezantuan konkluzionet e grupeve të punës, si edhe u shpallën rezultatet e votimit për Presidencën e ICIC 2025-2027, u moderuan nga znj. Elona Hoxhaj, Drejtoreshë e Përgjithshme e të Drejtës për Informim.
Po ashtu, në fund të konferencës u vendos që Kanadaja të jetë vendi mikpritës i edicionit të ardhshëm të Konferencës së ICIC në vitin 2027.
Zgjedhja e Shqipërisë në krye të ICIC konfirmon rolin në rritje të vendit tonë në arenën ndërkombëtare si dhe konsolidimin e transparencës dhe qeverisjen e mire.