Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale organizoi më 26-27 qershor trajnimin dy-ditor “Training of Trainers” (ToT). Aktiviteti mblodhi profesionistë nga institucione publike dhe kompani private për t’i përgatitur si trajnerët e parë kombëtarë në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.
Trajnimi u organizua në kuadër të projektit “SafeData Albania”, i zbatuar në bashkëpunim me Organizatën Shqiptare për Zhvillim të Qëndrueshëm (ASDO) me mbështetjen e programit SMART Balkans, financuar nga Qeveria e Norvegjisë.
Programi synon të ndërtojë një rrjet kombëtar trajnerësh të certifikuar që do të aftësojnë Nëpunësit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (DPO), në zbatim të kërkesave të reja ligjore, të harmonizuara me Rregulloren e Përgjithshme të BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR).
Në fjalën e mbajtur në mbyllje të aktivitetit, Komisioneri z. Besnik Dervishi theksoi rëndësinë e zhvillimit të trajnimeve të tilla në kontekstin e ligjit të ri nr. 124/2024, duke nënvizuar se Nëpunësi për Mbrojtjen e të Dhënave nuk është më thjesht një rol formal, por një element kyç për zbatimin real të standardeve të mbrojtjes së të dhënave dhe të parimit të përgjegjshmërisë.
“Ky trajnim merr një rëndësi edhe më të veçantë në kontekstin e miratimit të ligjit nr. 124/2024 “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, i cili shënon një etapë të re për mbrojtjen e të drejtave themelore të qytetarëve në Shqipëri.
Një nga risitë më domethënëse që sjell ky ligj është konsolidimi i rolit të Nëpunësit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, i cili nuk është më thjesht një figurë formale pranë kontrolluesit dhe përpunuesit, por kthehet në një aktor kyç për zbatimin praktik të kërkesave ligjore prej tyre dhe është tregues i qartë i zbatimit të parimit të përgjegjshmërisë. Ky është një rol i ndjeshëm, që kërkon dije të thelluara, përditësim të vazhdueshëm profesional dhe mbi të gjitha një etikë të lartë pune. Në këtë kuptim, investimi në përgatitjen profesionale dhe aftësimin e tyre është një domosdoshmëri”, tha z. Dervishi.
Trajnimi përfshiu tema të avancuara si: roli dhe përgjegjësitë e DPO-ve, menaxhimi i rreziqeve dhe auditimi i përpunimit të të dhënave, përballja me shkeljet e sigurisë, përgatitja e politikave të privatësisë dhe menaxhimi i kërkesave të qytetarëve.
Gjatë trajnimit, Dott.ssa Elisabetta Stringhi, eksperte nga Autoriteti Italian për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ndau përvoja praktike dhe qasje të avancuara nga zbatimi i GDPR në Itali.
Ky trajnim shënon fillimin e ndërtimit të një infrastrukture profesionale që do të garantojë një zbatim më të sigurt, të qëndrueshëm dhe europian të të drejtave të privatësisë në Shqipëri.