Zyra e Komisionerit zhvillon tryezën me Grupin e Punës për Kapitullin “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (KDIMDP) në bashkëpunim me  Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA) organizuan tryezën e radhës me Grupin e Punës për Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”, që zhvillohet në kuadër të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian.

Ky sesion që bëri bashkë organizata të shoqërisë civile, aktivistë të të drejtave të njeriut, hulumtues, lektorë e përfaqësues të medias, kishte për qëllim informimin mbi ligjin nr. 124/2024 “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale” dhe risitë e tij.

Sekretarja e Përgjithshme e Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, znj. Blerta Nërguti, u shpreh se Zyra e Komisionerit ka kontribut të veçantë në procesin e negociatave dhe plotësimit të kritereve të ndërmjetme për kapitullin 23. Ajo theksoi se pas miratimit të ligjit të ri për mbrojtjen e të dhënave personale, sfidë mbetet zbatimi i tij. Në këtë kuadër, znj. Nërguti nënvizoi rëndësinë e rritjes së ndërgjegjësimit, trajnimit dhe mbajtjes së tryezave të tilla.

Sekretarja e Përgjithshme informoi se Zyra e Komisionerit është në përfundim të setit të plotë të akteve nënligjore në zbatim të ligjit. Kjo paketë me udhëzime dhe metodologji, për hartimin e të cilave janë përfshirë aktorë të ndryshëm, do t’i  shërbejë grupeve të interesit për të kuptuar më mirë ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale si dhe për ta zbatuar atë në praktikë.

Drejtorja  e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, znj. Pjerina Mema, bëri një përshkrim teknik sa i takon ligjit dhe detyrimeve të tij. Ajo solli në vemendje se ligji është i ri është i harmonizuar plotësisht me Acquis Communautaire dhe qytetarëve u garantohet nje nivel më i lartë mbrojtjeje. Znj. Mema u ndal në disa risi të ligjit si e drejta për akses, ajo për korrigjim dhe fshirje, e drejta per t’u harruar, sanksionet, etj. Ajo tha se Zyra e Komisionerit do të vijojë të organizojë tryeza diskutimi me sektorin publik dhe atë privat, për të ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit dhe kuptueshmërisë për ligjin.

Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), në fjalën e tij u shpreh se takime të tilla janë të rëndësishme për të krijuar ura bashkëpunimi dhe dialogu mes institucioneve publike dhe aktorëve jo-shtetërorë, të interesuar dhe të prekur nga proceset reformuese që po ndërmerren në kuadër të integrimit europian, të cilat janë intensifikuar me hapjen e negociatave për anëtarësim. Gjipali theksoi se këto ndërmarrje politikash dhe nismash ligjore, aq sa janë të rëndësishme për përafrimin me legjislacionin e BE-së dhe për t’u konsideruar si kushte të realizuara për të ecur përpara me procesin, aq duhet të jenë edhe procese sa më gjithëpërfshirëse, duke u dhënë mundësi grupeve të ndryshme të interesit që jo vetëm të informohen, por edhe të bëhen pjesë e diskutimit dhe dialogut publik. Sidomos për ligje që prekin shumë sektorë dhe që janë teknikisht sfiduese, këto takime të përbashkëta luajnë një rol të rëndësishëm në ndarjen e eksperiencave dhe praktikave nga grupe dhe ekspertë të ndryshëm.

Në vazhdim, znj. Zuzana Motuzova, eksperte për GDPR dhe avokate nga Sllovakia, ndau me pjesëmarrësit eksperiencën e Sllovakisë si një shtet anëtar i BE-së dhe mënyrën se si u përshtatën institucionet publike, por edhe aktorët jo-shtetërorë, pas miratimit dhe hyrjes në fuqi të Rregullores së BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (GDPR), duke theksuar sfidat e hasura në praktikë për zbatimin e saj. Ajo tha se është e rëndësishme që sa më parë të nisë një proces ndërgjegjësimi dhe informimi mbi impaktin që ka ky ligj për të gjithë sektorët, aq më i lehtë do të jetë më pas procesi i zbatimit, duke promovuar atë që ajo e quajti – një kulturë të mbrojtjes së të dhënave personale dhe sigurisë dixhitale.

Në fund të prezantimeve, pjesëmarrësit u përfshinë në një diskutim aktiv me pyetje dhe komente mbi temat dhe çështjet e trajtuara.