Pas përmbylljes me sukses të trajnimit për programin e formimit dhe kualifikimit profesional të grupit të parë të Nëpunësve të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në kuadër të marrëveshjes me Kolegjin Universitar të Biznesit (KUB) do të japë kontributin e saj në sesionin e rradhës së trajnimeve për grupin tjetër të interesuarve.
Këto sesione trajnimesh do të zhvillohen nga data 22-27 shtator 2025, me pjesëmarrjen e trajnerëve të certifikuar të Zyrës së Komisionerit. Pjesëmarrësit do të njihen dhe do të thellohen në tema si: roli dhe përgjegjësitë e Nëpunësve të Mbrojtjes së të Dhënave Personale (DPO), kriteret që duhet të përmbushë një Nëpunës, trajtimi i të drejtave të subjekteve të të dhënave, menaxhimi i rreziqeve dhe auditimi i përpunimit të të dhënave, adresimi i rasteve të cënimit të të dhënave dhe vlerësimi i ndikimit në të dhëna, njohja e nocioneve të kontrolluesit, përpunuesit, bashkë kontrolluesve si dhe përgatitja e kontratave midis tyre, transferimi ndërkombëtar i të dhënave, etika, transparenca dhe komunikimi.
Në fund të trajnimit, pjesëmarrësit do të pajisen me certifikatën e kualifikimit.
Ky trajnim vjen në kuadër të Ligjit të ri të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, i konceptuar dhe hartuar në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë dhe në përputhje me acquis communautaire të Bashkimit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Ky trajnim i shërben sektorit publik dhe privat që përpunon të dhëna personale për të ndërtuar një infrastrukturë profesionale që do të garantojë një zbatim më të sigurt, të qëndrueshëm dhe në standard evropian të së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale në Shqipëri.