Komiteti Ekzekutiv i Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (ICIC) zhvilloi seancën e tretë për vitin 2025. Në cilësinë e Presidentit të Konferencës, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Dervishi, falënderoi anëtarët e Komitetit për mbështetjen dhe vlerësimin e treguar ndaj Zyrës së Komisionerit, gjatë kësaj periudhe.
Duke iu referuar Konferencës së Berlinit, ai theksoi rëndësinë e vijimit të angazhimit dhe kontributit të çdo anëtari me synim përmbushjen e prioriteteve të vendosura.
Në takim, u vendos që të thellohet bashkëpunimi mes ICIC dhe UNESCO-s, për promovimin e Parimeve të së Drejtës për Informim të Berlinit, me qëllim njohjen e tyre edhe nga Kombet e Bashkuara. Ky hap synon forcimin e rolit të aksesit në informacion dhe promovimin e tij në organizatat ndërkombëtare.
Një tjetër vendim i rëndësishëm, ishte ngritja e Komitetit të Planifikimit për organizimin e Konferencës së ardhshme të ICIC në vitin 2026, ku pritet të përfshihen edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare.
Gjithashtu, Sekretariati i ICIC prezantoi disa nisma të reja, mes tyre përgatitjen e një buletini special me rastin e Ditës Ndërkombëtare të së Drejtës për Akses në Informacion 2025. Po ashtu, tre autoritete të reja, u pranuan të bëhen pjesë e ICIC, duke zgjeruar më tej përfaqësimin global të kësaj organizate.