Projekt i ri i Programit Model të Transparencës për Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore në konsultim publik

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka publikuar për konsultim projektin e ri të “Programit Model të Transparencës për Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore”.

Bazuar në nenin 6 të ligjit nr. 119/21014 “Për të Drejtën e Informimit”, i ndryshuar: “Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale miraton dhe shpërndan modele të programeve të transparencës për kategori të ndryshme të autoriteteve publike…”

Qëllimi i këtij procesi është përmirësimi i standardeve të transparencës proaktive në nivel vendor, duke e përshtatur Programin e ri Model me ndryshimet ligjore dhe zhvillimet më të fundit në fushën e të drejtës për informim, të dhënave të hapura dhe pjesëmarrjes qytetare. Procesi i konsultimit është i hapur për qytetarët, bashkitë, këshillat bashkiakë dhe organizatat e shoqërisë civile, të cilët ftohen të japin komentet dhe sugjerimet e tyre.

Konsultimet synojnë të sigurojnë që dokumenti përfundimtar të pasqyrojë praktikat më të mira të transparencës, qasjes së lehtë në informacion dhe rritjes së llogaridhënies në nivel vendor.

Projekti i plotë i Programit Model të Transparencës dhe formulari për dërgimin e komenteve janë të disponueshëm në faqen zyrtare të Komisionerit: https://idp.al/projekt-akte-te-zyres-se-komisionerit/ .

Afati për paraqitjen e komenteve është deri më datë 30.10.2025, në adresën elektronike të Zyrës së Komisionerit info@idp.al.

Zyra e Komisionerit inkurajon të gjithë aktorët vendorë dhe publikun e gjerë të kontribuojnë në këtë proces, si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të transparencës, qeverisjes së mirë dhe pjesëmarrjes qytetare.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie me qëllim përmirësimin e përvojës së përdoruesit.
Cookie-t ruhen në shfletuesin tuaj dhe mundësojnë funksione të ndryshme, përfshirë njohjen e vizitave të përsëritura në faqe, si dhe analizimin e mënyrës së përdorimit, në mënyrë që të kuptojmë cilat seksione ju duken më relevante, interesante dhe të dobishme.

Politikat e privatësisë