Workshopi Rajonal “Initiative 2020” Dervishi: “E drejta për informim mjet kyç për të rritur besimin e publikut dhe forcuar demokracinë”

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi dhe Drejtoresha e  Përgjithshme e të Drejtës për Informim znj. Elona Hoxhaj, me ftesë të Agjencisë për Informim dhe Privatësi të Kosovës morën pjesë në workshopin rajonal me temë “INITIATIVE 2020”.

Ky aktivitet bëri bashkë përfaqësues të autoriteteve për të drejtën e informimit nga vendet e Evropës dhe rajonit, me qëllim ndarjen e praktikave dhe eksperiencave më të mira dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e aksesit në dokumentet publike.

Komisioneri Dervishi, në cilësinë edhe të Presidentit të Komitetit Ekzekutiv të Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve për të Drejtën për Informim (ICIC), theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar midis rrjeteve rajonale dhe organizatave globale që mbështesin transparencën dhe lirinë e informacionit. Ai tha se ICIC, si organizata më e madhe botërore në këtë fushë, ka për qëllim të ndërtojë kapacitete, të promovojë praktikat më të mira dhe të forcojë zërin kolektiv të autoriteteve që garantojnë të drejtën e qytetarëve për informim publik dhe llogaridhënie.

“E drejta për informim është një mjet kyç për të rritur besimin e publikut dhe për të forcuar demokracinë. Ajo garanton kontrollin dhe mbikëqyrjen e qeverisjes nga qytetarët dhe përbën një mekanizëm thelbësor për funksionimin e një shoqërie demokratike,” – u shpreh z. Dervishi.

Më tej ai ndau prioritetet strategjike të organizatës për periudhën 2024–2027, të cilat fokusohen në, forcimin e kapaciteteve të rrjetit ndërkombëtar, zgjerimin e anëtarësisë, intensifikimin e dukshmërisë globale dhe konsolidimin e bashkëpunimit me rrjetet rajonale dhe grupet e punës.

Znj. Krenare Sogojeva-Dërmaku shprehu vlerësimet ndaj Zyrës së Komisionerit si dhe apeloi për më shumë bashkëpunim ndërkombëtar mes institucioneve homologe dhe organizatave rajonale me synim forcimin e transparencës.

Ndërsa, Drejtoresha e Përgjithshme për të Drejtën e Informimit Znj. Elona Hoxhaj, bëri një përmbledhje të situatës së transparencës proaktive të Autoriteteve Publike në Shqipëri si dhe ndau me pjesëmarrësit instrumentin e programit dhe indeksit të transparencës.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe duke ndihmuar ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes në internet ju duket më interesante dhe e dobishme.

Politikat e privatësisë