Zyra e Komisionerit tryezë me Shoqatën e Siguruesve të Shqipërisë: Bashkëpunim për zbatimin e ligjit të ri “Për mbrojtjen e të dhënave personale”

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, zhvilloi një tryezë pune me Shoqatën e Siguruesve të Shqipërisë dhe drejtues të kompanive të sigurimeve, me fokus zbatimin në praktikë të ligjit të ri nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.

Në fjalën e tij, Komisioneri z. Besnik Dervishi, vlerësoi rolin e sektorit të sigurimeve si një ndër sektorët kryesor në përpunimin e të dhënave personale.

Komisioneri u bëri apel përfaqësuesve të kompanive të sigurimit që ta shohin Zyrën e Komisionerit si partner në këtë proces dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e ligjit, duke garantuar se Zyra do t’i mbështesë me trajnime, orientime dhe udhëzime praktike për përputhshmërinë me standardet e reja.

Ai shtoi se, Zyra e Komisionerit ka monitoruar ndër vite mënyrën e përpunimit të të dhënave në sektorin e sigurimeve dhe ka dhënë rekomandime konkrete për përmirësimin e masave të sigurisë së informacionit dhe të transparencës ndaj qytetarëve.

Nga ana e tij, Kryetari i Asamblesë së Anëtarve të Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë, z. Xhevdet Kopani, përgëzoi në emër të shoqërive Zyrën e Komisionerit për nismën dhe nënvizoi angazhimin e kompanive të sigurimeve për përputhjen me ligjin e ri.

“Kompanitë kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të garantuar zbatimin e ligjit, përfshirë rishikimin e politikave të privatësisë, përditësimin e dokumenteve të brendshme dhe do te vijojmë me ndjekjen e programeve për trajnimin e stafit– u shpreh Kopani.

Në vijim të tryezës, znj. Besa Velaj, përfaqësuese e Zyrës së Komisionerit, prezantoi risitë kryesore të ligjit të ri, duke theksuar ndryshimet në detyrimet e kontrolluesve dhe përpunuesve, transparencën ndaj subjekteve të të dhënave dhe rolin e Nëpunësit për Mbrojtjen e të Dhënave (DPO).

Nga pjesëmarrësit u diskutua hartimi i dokumenteve të unifikuar për sektorin deri në një Kod Sjellje për shoqëritë e sigurimit.

Zyra e Komisionerit do të vijojë organizimin e tryezave të ngjashme me sektorë të tjerë të rëndësishëm.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe duke ndihmuar ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes në internet ju duket më interesante dhe e dobishme.

Politikat e privatësisë