Zyra e Komisionerit, Transparenca dhe Mbrojtja e të Dhënave në aksin Strazburg-Bruksel

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (IDPC) mori pjesë në tri aktivitete të rëndësishme ndërkombëtare, të zhvilluara në Strazburg dhe Bruksel, organizuar nga Këshilli i Evropës (KiE) dhe Bordi Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB).

Në Strazburg u zhvillua mbledhja e 49-të plenare e Komitetit Konsultativ të Konventës 108 “Për mbrojtjen e individëve në lidhje me përpunimin automatik të të dhënave personale”.
Në këtë mbledhje, Komisioneri Besnik Dervishi theksoi se pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri për mbrojtjen e të dhënave personale janë miratuar 7 nga 10 aktet nënligjore të parashikuara në ligj.
Ai nënvizoi gjithashtu se, pas ratifikimit të Konventës së përmirësuar 108+, Zyra e Komisionerit po punon për hartimin e klauzolave të reja standarde për mbrojtjen e të dhënave personale, bazuar në modelet e miratuara nga Komiteti Konsultativ i Konventës 108+.

Po në Strazburg, Drejtoresha e Përgjithshme për të Drejtën e Informimit në Zyrën e Komisionerit, znj. Elona Hoxhaj, e zgjedhur si anëtare e Grupit të Aksesit në Informacion të Konventës së Këshillit të Evropës “Për Qasjen në Dokumentet Zyrtare” (Konventa 205), mori pjesë në takimin e 10-të të Grupit të Ekspertëve.

Në një panel të veçantë të workshop-it të përbashkët të Grupit të Ekspertëve të Konventës 205 të KiE dhe Komitetit Konsultativ të Konventës 108 të KiE, me temë “Transparenca dhe privatësia në shoqëritë demokratike – dy anët e së njëjtës monedhë”, znj.Hoxhaj referoi mbi temën “Menaxhimi i informacionit që lidhet me personat privatë”. Ajo theksoi rëndësinë e përcaktimit të kufijve ndërmjet transparencës institucionale dhe mbrojtjes së të dhënave personale në praktikën administrative. Ndër të tjera, aktiviteti trajtoi gjithashtu çështje të rëndësishme mbi balancimin ndërmjet së drejtës për qasje në informacion dhe mbrojtjes së të dhënave personale, si dhe mbi rregullimin e qasjes në të dhënat personale të individëve që bashkëpunojnë me autoritetet publike.

Në Bruksel, përfaqësues të Zyrës së Komisionerit morën pjesë në mbledhjen 111-të plenare të Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB), të zhvilluar online. Diskutimet në këtë mbledhje u fokusuan në udhëzimet mbi përpunimin e të dhënave për reklamat politike, përdorimin e të dhënave në kontekstin e inteligjencës artificiale gjeneruese dhe ndërveprimin ndërmjet Aktit të Inteligjencës Artificiale dhe legjislacionit të BE-së për mbrojtjen e të dhënave.
Gjithashtu, u trajtuan çështje që lidhen me konceptin e “përfaqësuesit” sipas nenit 68(3) të GDPR-së dhe auditimin e teknikave të profilizimit në tregjet digjitale.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe duke ndihmuar ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes në internet ju duket më interesante dhe e dobishme.

Politikat e privatësisë