Konventa Kombëtare për Integrimin Europian: Dialog për të Drejtën e Informimit

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA), organizoi takimin e dytë në kuadër të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian, të mbështetur nga Bashkimi Europian.

Takimi u fokusua në zbatimin e Ligjit për të Drejtën e Informimit në Shqipëri, duke trajtuar sfidat dhe zhvillimet që lidhen me transparencën, llogaridhënien dhe rolin e Komisionerit në këtë proces.

Në tryezë morën pjesë përfaqësues të shoqërisë civile, institucioneve publike, mediave, akademisë dhe ekspertë nga Sllovakia, të cilët ndanë përvoja dhe praktika të mira mbi standardet europiane të transparencës dhe qeverisjes së mirë.

Drejtorja e Përgjithshme për të Drejtën e Informimit, znj. Elona Hoxhaj, fillimisht bëri një përmbledhje të kuadrit ligjor për të drejtën e informimit dhe aksesin në informacion. Duke u ndalur te raporti i fundit i progresit të Komisionit Evropian, Hoxhaj u shpreh se arritjet në fushën e të drejtës së informimit dhe transparencës janë përcaktuese për ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, pasi lidhen ngushtë me mirëqeverisjen dhe llogaridhënien.

Ndërsa Drejtori Ekzekutiv i EMA-s, z. Gledis Gjipali, theksoi se harmonizimi i legjislacionit tonë kombëtar me standardet evropiane nuk është një proces i thjeshtë dhe kërkon angazhim si nga institucionet shtetërore, ashtu edhe përfshirje më të gjerë të aktorëve të tjerë si shoqëria civile, akademia, media dhe grupet e tjera të interesit.

Drejtorja e Monitorimit të Programeve të Transparencës pranë Zyrës së Komisionerit, znj. Emerlinda Pema, u ndal te problematikat e shfaqura gjatë zbatimit të ligjit, konkretisht te procesi i monitorimit të programit të transparencës të autoriteteve publike.

Pas prezantimeve institucionale, fjalën e mori Michal Piško, Drejtor i Transparency International Slovakia, i cili ndau me pjesëmarrësit raste konkrete të zbatimit të së drejtës për informim në vendin e tij. Ai solli në vëmendje se, ndryshe nga Sllovakia, Shqipëria ka një autoritet të pavarur mbikëqyrës dhe monitorues, si Zyra e Komisionerit, për zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit.

Në diskutimin e hapur u trajtuan çështje si: dallimi mes dokumenteve që duhen publikuar dhe atyre që përjashtohen; transparenca e institucioneve të ndryshme që ofrojnë shërbime publike; si dhe detyrimet për publikimin e informacionit në fushën e prokurimeve publike dhe mbrojtjen e të dhënave sensitive, etj.

Aktiviteti gjithashtu shërbeu si një hapësirë bashkëpunimi dhe dialogu për nxitjen e përfshirjes së aktorëve jo-shtetërorë në monitorimin dhe zbatimin e politikave që lidhen me të drejtën e informimit dhe procesin e integrimit europian

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe duke ndihmuar ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes në internet ju duket më interesante dhe e dobishme.

Politikat e privatësisë