Më datë 16 nëntor u zhvillua ceremonia e 10-vjetorit të themelimit të Shkollës së Integrimit Europian, një nismë e rëndësishme që ka kontribuar në forcimin e kapaciteteve profesionale të administratës publike dhe mbështetjen e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Zyrën e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale e përfaqësoi Sekretarja e Përgjithshme, znj. Blerta Nerguti, një ndër ndjekëset e mëparshme të kësaj shkolle. Në fjalën e saj të përshëndetjes, znj. Nerguti vlerësoi rolin e Shkollës së Integrimit Europian si një platformë të konsoliduar formimi, e cila ka ndihmuar institucionet shqiptare, përfshirë Zyrën e Komisionerit, gjatë fazës së screening-ut dhe negociatave për Kapitullin 23.

Ajo theksoi se kjo shkollë ka krijuar një komunitet të qëndrueshëm profesionistësh të angazhuar për transparencë, qeverisje të mirë dhe përmbushje të standardeve europiane. Znj. Nerguti shprehu mirënjohjen për institucionet dhe partnerët që kanë mbështetur zhvillimin e kësaj nisme përgjatë një dekade, duke përfshirë Kuvendin e Shqipërisë, Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian, Delegacionin e BE-së dhe Fondacionin Shoqëria e Hapur.