Në datat 17-19 nëntor 2025, Zyra e Komisionerit mori pjesë në “European Case Handling Workshop – ECHW2025”, e organizuar në Prishtinë, Kosovë, me pjesëmarrjen e rreth 70 përfaqësuesve nga 23 autoritete evropiane të mbrojtjes së të dhënave personale.
Aktiviteti u zhvillua në formën e një workshop-i tre ditor, me fokus në zhvillimin e diskutimeve dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve pjesëmarrëse, me qëllim shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikave më të mira në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.
Në këtë workshop, Zyra e Komisionerit u përfaqësua me dy prezantime.
Në panelin me temë: “Të dhënat e fëmijëve në platformat digjitale dhe lojërat online”, Znj. Pjerina Mema, Drejtore e Përgjithshme në Drejtorinë e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale prezantoi dhe trajtoi tema si hartimi i kurrikulës për mbrojtjen e të dhënave personale të fëmijëve në internet, kontributi i Zyrës së Komisionerit në ndërgjegjësimin e shoqërisë, si dhe bashkëpunimet ndërinstitucionale me strukturat arsimore në zbatim të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale në epokën e digjitalizimit. Pjesë e këtij paneli ishin edhe autoriteti norvegjez i mbrojtjes së të dhënave dhe autoriteti homolog i Ishullit të Guernsey-t.

Zyra e Komisionerit mori pjesë aktive edhe në panelin me temë: “Përpunimi i të dhënave shëndetësore në kohën e digjitalizimit: kufiri midis inovacionit dhe mbrojtjes së të dhënave personale”, i cili u moderua nga Znj. Mema, me përfaqësues nga autoriteti i mbrojtjes së të dhënave personale të Maqedonisë së Veriut dhe znj. Desara Avdulaj, inspektore pranë Drejtorisë së Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale e Zyrës së Komisionerit.
Gjatë prezantimit u parashtruan hapat e ndërmarrë nga Republika e Shqipërisë në kuadër të digjitalizimit të shërbimeve, roli i Zyrës së Komisionerit në veprimtarinë administrative të zhvilluar pranë institucioneve të Kujdesit Shëndetësor Parësor, si dhe aktivitetet ndërgjegjësuese që promovojnë ndër të tjera, edhe bashkëpunimin ndërmjet strukturave që përpunojnë të dhëna shëndetësore.
Në fund të aktivitetit, kontributi i Zyrës së Komisionerit, në të dyja panelet u vlerësua dhe u duartrokit nga përfaqësuesit e autoriteteve homologe të vendeve, si Kroacia, Guernsey, Estonia dhe Suedia.