Tiranë, 26 nëntor 2025
Më datë 26 nëntor 2025, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale zhvilloi një aktivitet informues dhe ndërgjegjësues me fokus në zbatimin e detyrimeve ligjore për përpunimin e sigurt të të dhënave personale të të miturve dhe viktimave të trafikimit, si dhe promovimin dhe respektimin e privatësisë në çdo fazë të procesit administrativ.
Aktiviteti u mbajt në Tiranë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve dhe ekspertëve të institucioneve shtetërore, organizatave jofitimprurëse dhe strukturave që veprojnë në fushën e parandalimit të trafikimit dhe mbrojtjes së fëmijëve, për të diskutuar sfidat dhe detyrimet që burojnë nga ligji i ri për mbrojtjen e të dhënave personale.
Takimi u drejtua nga Znj. Pjerina Mema, Drejtore e Përgjithshme në Drejtorinë e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale pranë Zyrës së Komisionerit dhe filloi me fjalët përshëndetëse të Znj. Mema dhe përfaqësues nga Drejtoria e Politikave të Migracionit, Azilit dhe Antitrafikut të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në fjalët hyrëse, ndër të tjera, u theksua domosdoshmëria er rritjes së standardeve për mbrojtjen e të drejtave të viktimave të trafikimit dhe të drejtave të fëmijëve, si disa nga kategoritë e subjekteve të të dhënave më sensitive, edhe në kuptim të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale.
Paneli vijoi me prezantimin e përfaqësueses së Zyrës së Komisionerit, Znj. Renata Neli, mbi rolin mbikëqyrës të Komisionerit, gjetjet dhe rekomandimet e dala nga hetimet e zhvilluara në institucionet dhe organizatat që përpunojnë të dhëna personale të të miturve dhe viktimave të trafikimit. Më tej, aktiviteti vijoi me prezantimet e dy përfaqësueseve të qendrave që përpunojnë të dhëna personale të të miturve dhe viktimave të trafikimit, lidhur me veprimtarinë e tyre dhe masat lidhur me garantimin për mbrojtjen e të dhënave personale.
Takimi u shoqërua me diskutime të hapura mbi forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, rritjen e kapaciteteve të institucioneve përgjegjëse dhe roli i tyre në promovimin e përpunimit të sigurt të të dhënave personale.
Në përmbyllje, Zyra e Komisionerit theksoi angazhimin e vazhdueshëm për monitorimin e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e të dhënave të kategorive vulnerabël, si pjesë e përpjekjeve kombëtare për parandalimin e trafikimit dhe mbrojtjen e të miturve.