Mblidhet Komiteti i Planifikimit për Konferencën e ICIC 2026

Komiteti i Planifikimit të Konferencës së XVII Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (ICIC) zhvilloi mbledhjen e tij të parë online për nisjen e përgatitjeve në aspektin përmbajtësor dhe logjistik të edicionit të vitit 2026 të Konferencës.

Nën drejtimin e Zyrës së Komisionerit, në cilësinë e Sekretariatit të ICIC, në këtë Komitet për herë të parë morën pjesë përveç përfaqësues nga institucione homologe/anëtare, edhe përfaqësues të aktorëve të tjerë të rëndësishëm, si organizata ndërkombëtare (UNESCO, OECD) dhe shoqërisë civile me rol aktiv në rrjetin e ICIC. Zgjerimi i përfaqësisë në këtë Komitet edhe me grupe interesi, është propozuar nga Zyra e Komisionerit dhe mori mbështetjen nga Komiteti Ekzekutiv ICIC, për ta bërë atë sa më gjithpërfshirës.

Tema e propozuar nga organizatorët e edicionit të vitit 2026 është “Integriteti i Informacionit në Epokën Digjitale”. Pjesëmarrësit diskutuan mbi formatin e Konferencës, strukturën tematike, pjesëmarrjen dhe logjistikën. U prezantuan elementët kryesorë të konceptit të Konferencës, përfshirë objektivat, rezultatet e pritshme dhe zhvillimin e aktiviteteve paralele gjatë periudhës së zhvillimit të saj, duke përfshirë aktivitete me të rinj dhe të tjera që lidhen edhe me inovacionin digjital.

Ndryshe nga edicionet e kaluara, Konferenca e ICIC e vitit 2026 do të mbahet në fund të muajit shtator, për të kombinuar zhvillimin e saj me kremtimin e 28 Shtatorit – Ditës Ndërkombëtare të të Drejtës për Informim (IDUAI). Takimi i radhës i Komitetit të Planifikimit është parashikuar të mbahet në fund të janarit 2026, ku pritet të diskutohen në mënyrë më të detajuar programi dhe përcaktimi i datave të konferencës, ashtu si edhe përgatitjet logjistike.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie me qëllim përmirësimin e përvojës së përdoruesit.
Cookie-t ruhen në shfletuesin tuaj dhe mundësojnë funksione të ndryshme, përfshirë njohjen e vizitave të përsëritura në faqe, si dhe analizimin e mënyrës së përdorimit, në mënyrë që të kuptojmë cilat seksione ju duken më relevante, interesante dhe të dobishme.

Politikat e privatësisë