EDPB miraton rekomandime të reja për mbrojtjen e të dhënave në blerjet online, diskuton propozimin për Omnibus-in Digjital dhe zgjedh Zëvendëskryetaren e re

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi mori pjesë në seancën plenare të radhës të Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB), zhvilluar më 4 dhjetor në Bruksel, ku u trajtuan çështje kyçe të agjendës evropiane të mbrojtjes së të dhënave personale.

Gjatë mbledhjes, EDPB miratoi rekomandime të reja lidhur me kriteret ligjore për detyrimin e krijimit të llogarive të përdoruesve në faqet që kryejnë tregti elektronike. Rekomandimet synojnë garantimin e një mbrojtje më të madhe të të dhënave personale, minimizimin e mbledhjes së të dhënave personale, forcimin e praktikave të mbrojtjes së të dhënave në projektim dhe në mënyrë të paracaktuar, në përputhje me GDPR.

Si parim i përgjithshëm, EDPB thekson se përdoruesve duhet t’u ofrohet mundësia të kryejnë blerje përmes modalitetit “i ftuar”, pa krijuar llogari. Detyrimi për krijimin e llogarisë mund të justifikohet vetëm në raste të kufizuara, siç mund të jenë ofrimi i shërbimeve të abonimit apo akses në oferta ekskluzive.

Rekomandimet do t’i nënshtrohen një konsultimi publik, ku palët e interesuara do të kenë mundësi të japin komente dhe sugjerime.

Një pjesë e rëndësishme e seancës iu kushtua diskutimit të parë paraprak mbi propozimin e Komisionit Evropian për Omnibus-in Digjital, për të cilin EDPB dhe EDPS do të lëshojnë një Opinion të Përbashkët.

Diskutimet u fokusuan në ndikimin e ndryshimeve të propozuara në të drejtat themelore të individëve, vlerësimin e masës në të cilën propozimi synon thjeshtimin për veprimtarinë e kontrolluesve dhe përpunuesve dhe rritjen e sigurisë juridike, si edhe shqetësimet paraprake se propozimet për ndryshimin e përkufizimit të termit “të dhëna personale”, mund të shkojnë përtej jurisprudencës së Gjykatës së Drejtësisë së BE-së.

EDPB nënvizoi se çdo ndërhyrje duhet të garantojë standardet e larta të mbrojtjes së të dhënave dhe parandalimin e çdo ndikimi negativ në të drejtën themelore të mbrojtjes së të dhënave.

Gjithashtu, shtetet anëtare të Bordit votuan për zgjodhjen e Znj. Jelena Virant Burnik, Komisionere e Informacionit të Sllovenisë, në rolin e Zëvendëskryetares së re të EDPB-së.

Në deklaratën e saj, znj. Burnik shprehu angazhimin për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Autoriteteve Kombëtare të Mbrojtjes së të Dhënave dhe për kontribut të qëndrueshëm në harmonizimin e zbatimit të GDPR-së në të gjithë Bashkimin Evropian.

Pjesëmarrja e Komisionerit Dervishi në punimet e EDPB-së tregon angazhimin institucional të Shqipërisë për përmbushjen e standardeve të BE-së në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie me qëllim përmirësimin e përvojës së përdoruesit.
Cookie-t ruhen në shfletuesin tuaj dhe mundësojnë funksione të ndryshme, përfshirë njohjen e vizitave të përsëritura në faqe, si dhe analizimin e mënyrës së përdorimit, në mënyrë që të kuptojmë cilat seksione ju duken më relevante, interesante dhe të dobishme.

Politikat e privatësisë