Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mori pjesë për tretin vit radhazi në Javën e Shkëmbimit dhe Mësimit për Mbrojtjen e të Dhënave, me pjesëmarrje të Nivelit të Lartë, të zhvilluar në Bruksel.
Zyra e Komisionerit u përfaqësua nga znj. Besa Velaj, Drejtore e Kabinetit, dhe znj. Blerta Nërguti, Sekretare e Përgjithshme, të cilat kontribuan aktivisht në diskutime dhe shkëmbimin e praktikave me homologë nga rajoni dhe Bashkimi Evropian.

Kjo javë, e organizuar në bashkëpunim me SIGMA, RCC dhe GIZ, me mbështetjen e Komisionit Evropian – DG Justice, EDPB dhe EDPS, shërben si platformë unike rajonale për forcimin e bashkëpunimit, shkëmbimin e praktikave më të mira dhe ndërtimin e kapaciteteve në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, në një mjedis dixhital gjithnjë e më kompleks.
Diskutimet u fokusuan në flukset ndërkombëtare të të dhënave, inteligjencën artificiale dhe rolet mbikëqyrëse të autoriteteve, me kontribute nga ekspertë të lartë të DG Justice, EDPB dhe EDPS.
Përfaqësues nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Partneritetit Lindor ndanë përvoja konkrete mbi sfidat e harmonizimit legjislativ dhe mbikëqyrjes efektive.
Siç u theksua edhe nga menaxherja e programit znj. Jelisaveta Tasev, shkëmbime të tilla janë thelbësore për ndërtimin e kuadrove moderne dhe të orientuara drejt së ardhmes në mbrojtjen e të dhënave personale, në një kohë kur inteligjenca artificiale dhe transformimi dixhital po riformësojnë rolin e autoriteteve mbikëqyrëse.
