“Agora e Transparencës në Kohën e Integrimit” – Transparenca, kusht për qeverisje të mirë dhe integrim evropian
Në përmbyllje të Javës së Integritetit 2025, u zhvillua sot Konferenca e VII Kombëtare për të Drejtën e Informimit, me temë “Agora e transparencës në kohën e integrimit”, e organizuar nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Ministrin e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.
Konferenca shërbeu si një platformë kombëtare dialogu mbi sfidat e transparencës institucionale në kuadër të procesit të integrimit evropian, duke vënë theksin në rolin mbikëqyrës të Komisionerit, përgjegjësinë e institucioneve publike dhe forcimin e llogaridhënies ndaj qytetarëve.
Në aktivitet morën pjesë Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Edi Rama, përfaqësues të trupit diplomatik, institucioneve qendrore dhe vendore, autoriteteve të pavarura, sistemit të drejtësisë, shoqërisë civile dhe medias.
Kryeministri Rama theksoi se Shqipëria ka ndërtuar një infrastrukturë funksionale për transparencën, duke përmirësuar kapacitetet për qasje në informacion dhe duke promovuar projekte të reja si “Transparent Albania”.
Ai shtoi se vlerësimet e SIGMA-s tregojnë se Shqipëria ka infrastrukturë funksionale për transparencën dhe se projekti Transparent Albania synon të centralizojë gjithë informacionin në një platformë të vetme, ku qytetarët mund të kërkojnë informacion pa vonesa burokratike.
Gjatë fjalës së tij, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, theksoi se transparenca përbën një nga shtyllat themelore të qeverisjes së mirë dhe është një element thelbësor për ndërtimin e besimit mes institucioneve dhe publikut.
Ai theksoi se transparenca nuk duhet kuptuar thjesht si publikim dokumentesh, por si një kulturë pune, e cila nxit integritetin, përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien në çdo hallkë të administratës publike.
Duke iu referuar Raportit të Komisionit Evropian për vitin 2025, Komisioneri Dervishi vuri në dukje se Ligji “Për të Drejtën e Informimit” në Shqipëri është në përputhje të gjerë me standardet evropiane, por zbatimi praktik i tij mbetet i paqëndrueshëm, autoritetet publike vijojnë, në jo pak raste, të përdorin justifikime të përgjithshme dhe të paarsyetuara lidhur me “interesin publik” për të refuzuar kërkesat për informacion, pa respektuar parimin e proporcionalitetit dhe pa dhënë arsyetim të mjaftueshëm ligjor.
Komisioneri Dervishi evidentoi si problematikë kryesore mosrespektimin e afateve ligjore për kthimin e përgjigjeve, interpretimit të gabuar të kufizimeve ligjore, por shpesh edhe për shkak të neglizhencës.
Ai vuri gjithashtu theksin te dispozitat e panevojshme të konfidencialitetit, ndryshimet e shpeshta të koordinatorëve për informim dhe mangësitë në organizimin e strukturave të brendshme institucionale për publikimin e informacionit të përditësuar në faqet zyrtare.
Në përfundim, Komisioneri Besnik Dervishi theksoi se zbatimi i drejtë i ligjit për të drejtën e informimit kërkon angazhim të përbashkët nga institucionet publike, shoqëria civile, media, bota akademike etj.
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, deklaroi se qeveria vjen me më shumë transparencë publike, përmes portalit të transparencës.
Përfaqësuesit e trupit diplomatik theksuan rëndësinë e forcimit të transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike, ndërsa rikonfirmuan mbështetjen ndaj Shqipërisë në procesin e integrimit si dhe në projekte të ndryshme.
Përfaqësuesit e medias dhe shoqërisë civile evidentuan problematikat dhe sfidat në lidhjen me aksesin në informacion.
Gjatë konferencës u prezantuan Modelet e reja të Programit të Transparencës, të hartuara nga Zyra e Komisionerit për institucionet qendrore, të varësisë dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, si dhe gjetjet e raportit vjetor të vetëdeklarimit për vitin 2024.
Po ashtu, u prezantua Manuali Pyetje–Përgjigje për qytetarët, si një instrument praktik për rritjen e aksesit në informacion dhe ndërgjegjësimin mbi të drejtën për informim.