Bruksel, zhvillohet mbledhja plenare e Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB)

Bordi Evropian i Mbrojtjes së të Dhënave (EDPB) zhvilloi mbledhjen e 115-të plenare. Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale u përfaqësua në këtë mbledhje nga Komisioneri z. Besnik Dervishi si dhe nga Drejtori i Çështjeve Juridike dhe Integrimit z. Klajdi Dvorani.

Në qendër të punimeve ishte raporti mbi të drejtën e fshirjes, pjesë e Veprimit të Koordinuar të Zbatimit 2025, i cili përmbledh gjetjet e autoriteteve kombëtare mbi zbatimin e nenit 17 të GDPR-it. Raporti evidenton praktikat e mira dhe sfidat në fushën e zbatimit të kësaj të drejte, përfshirë mungesën e procedurave të brendshme të strukturuara, vështirësitë në përcaktimin e afateve të ruajtjes dhe menaxhimin e kopjeve rezervë të të dhënave.

Po ashtu, anëtarët e Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB) dhe Mbikëqyrësi Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPS) kanë diskutuar dhe miratuar propozimin për Rregulloren për Inteligjencën Artificiale (AI) dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (Omnibus Digital), i cili synon të thjeshtojë kuadrin ligjor duke ruajtur një nivel të lartë mbrojtjeje të të drejtave si dhe përmban rekomandime mbi përjashtimet në përpunimin e të dhënave në kontekstin e IA-së, kërkesave abuzive, vendimmarrjeve të automatizuara dhe mbikëqyrjen e rregullave të e-Privacy.

Një tjetër pikë diskutimi ishte dhe Akti Evropian i Bioteknologjisë, i cili trajton sfidat e mbrojtjes së të dhënave në kontekste të reja teknologjike, si inteligjenca artificiale, provat klinike dhe qeverisja elektronike.

Në mbledhjen dy ditore 10-11 shkurt 2026, u shqyrtua gjithashtu programi i punës 2026–2027 i bordit, që përcakton prioritetet për fazën e dytë të Strategjisë së EDPB 2024–2027, si dhe buxheti i miratuar për vitin 2026, që mbështet zgjerimin e kapaciteteve të Sekretariatit dhe bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve të mbikëqyrjes. Gjithashtu, u prezantuan nisma të reja për përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet rregullatorëve evropianë dhe raportet përfundimtare mbi trajtimin e shkeljeve të të dhënave dhe proceset e anonimizimit e pseudonimizimit.

Pjesëmarrja e Zyrës së Komisionerit në këto punime përbën një mundësi të rëndësishme për të ndjekur nga afër zhvillimet rregullatore në nivel evropian në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie me qëllim përmirësimin e përvojës së përdoruesit.
Cookie-t ruhen në shfletuesin tuaj dhe mundësojnë funksione të ndryshme, përfshirë njohjen e vizitave të përsëritura në faqe, si dhe analizimin e mënyrës së përdorimit, në mënyrë që të kuptojmë cilat seksione ju duken më relevante, interesante dhe të dobishme.

Politikat e privatësisë