Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale zhvilloi një takim ndërgjegjësues me përfaqësues të laboratorëve mjekësorë dhe klinikave dentare, në vijim të gjetjeve të evidentuara gjatë hetimeve administrative të kryera përgjatë vitit 2025 në këtë sektor.
Gjatë kësaj periudhe, janë realizuar 15 hetime administrative, 8 në klinika dentare dhe 7 në laboratorë mjekësorë , me fokus në mënyrën e përpunimit të të dhënave personale dhe respektimin e kërkesave të ligjit për mbrojtjen e tyre në fushën e shërbimeve shëndetësore.
Takimi kishte për qëllim forcimin e kulturës së përgjegjshmërisë dhe transparencës në trajtimin e të dhënave, veçanërisht atyre që i përkasin kategorive të veçanta, si të dhënat shëndetësore, të cilat kërkojnë standarde të larta sigurie dhe konfidencialiteti.
Në qendër të diskutimeve ishte edhe prezantimi i risive të ligjit nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i cili përafron plotësisht legjislacionin kombëtar me Rregulloren e Përgjithshme Evropiane për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR). Pjesëmarrësit u njohën me orientime praktike për zbatimin e kërkesave të ligjit dhe për përmirësimin e praktikave të brendshme të mbrojtjes së të dhënave.
Zyra e Komisionerit, në rolin e saj si autoritet mbikëqyrës, mbetet e angazhuar të sigurojë përputhjen e përpunimit të të dhënave personale me parimet e ligjshmërisë dhe transparencës, si dhe të ofrojë mbështetje institucionale dhe udhëzime për subjektet që veprojnë në këtë sektor.