Të dhënat e hapura janë një ndër shtyllat themelore të transparencës, llogaridhënies dhe zhvillimit inovativ në administratën publike. Ato u japin qytetarëve, bizneseve dhe organizatave mundësinë të aksesojnë, përdorin dhe ripërdorin informacionin publik në mënyrë të lirë, duke nxitur pjesëmarrjen dhe besimin në institucionet publike.
Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale vijon të luajë një rol kyç në garantimin e këtij procesi, përmes mbikëqyrjes së zbatimit të legjislacionit përkatës, trajtimit të ankesave të qytetarëve, monitorimit të performancës së institucioneve publike, si dhe promovimit të praktikave më të mira në publikimin dhe ripërdorimin e të dhënave.
Në funksion të rritjes së ndërgjegjësimit dhe lehtësimit të aksesit në informacionin publik, Zyra e Komisionerit ka përgatitur materiale informuese që adresojnë rëndësinë e të dhënave të hapura, procedurat për kërkimin e informacionit, mënyrat e paraqitjes së ankesave, si dhe mekanizmat për monitorimin e zbatimit të ligjit nr. 33/2022. Këto informacione të qarta mund të aksesohen përmes ketyre lidhjeve:
- https://idp.al/wp-content/uploads/2026/02/Broshura-Te-dhenat-e-hapura-dhe-riperdorimi-i-informacionit-ne-SP.pdf
- https://idp.al/wp-content/uploads/2026/03/Si-te-beni-nje-kerkese-per-riperdorim-dhe-procedura-e-ankeses-prane-KMDIMDP.pdf
- https://idp.al/wp-content/uploads/2026/03/Harta-e-proceseve.pdf
Këto materiale synojnë të mbështesin si organet e sektorit publik, ashtu edhe çdo palë të interesuar, për të kuptuar më mirë të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga kuadri ligjor, si dhe për të përdorur në mënyrë efektive instrumentet në dispozicion.
Në kuadër të zbatimit të ligjit nr. 33/2022, angazhimi i organeve publike mbetet thelbësor për të garantuar publikimin proaktiv të të dhënave dhe ripërdorimin e tyre në formate të hapura dhe të aksesueshme.
Kalimi nga parimi në zbatim kërkon përpjekje të vazhdueshme dhe bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve dhe publikut. Vetëm përmes një qasjeje aktive ndaj publikimit dhe përdorimit të të dhënave mund të ndërtojmë një administratë më transparente, më të hapur dhe më të përgjegjshme.