Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale po monitoron me kujdes të veçantë situatën e krijuar nga cenimi (përhapja e paligjshme) i të dhënave personale të shtetasve, e cila në fjalorin ligjor ndërkombëtar njihet si “personal data breach”.
“Personal data breach” e realizuar në një shkallë të gjerë, siç është rasti me publikimin e të dhënave personale të shtetasve, përbën shkeljen më të rëndë të jetës private dhe të së drejtës së qytetarëve për mbrojtjen e të dhënave të tyre personale.
Kjo e drejtë është e sanksionuar shprehimisht në nenin 35 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe garantohet dhe mbrohet më tej nga dispozitat e ligjit nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar (“Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”), si dhe nga dispozitat e Kodit Penal.
Zyra e Komisionerit ka nisur tashmë një proces hetimi administrativ, rezultatet e të cilit do të bëhen publike brenda afateve ligjore.
Dispozitat urdhëruese të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale në fuqi, si dhe çdo standard etik profesional i çdo kontrolluesi, publik apo privat, detyron këta të fundit të ndërpresin çdo veprim të kundërligjshëm që lidhet me publikimin e të dhënave personale të shtetasve.
Liria e shprehjes është e garantuar dhe përbën një nga themelet kryesore të një shoqërie demokratike, e cila në qendër të saj ka individin dhe të drejtën e tij për jetë private.
Zyra e Komisionerit vlerëson se ushtrimi i lirisë së shprehjes dhe të shtypit, kur në objekt të saj ka të dhëna personale, para së gjithash, duhet realizuar duke mbajtur parasysh faktin se “interesi (i lartë) publik”, dallon nga “interesi për publikun”.
Rrjedhimisht, çdo publikim mediatik dhe/ose në faqe interneti apo aplikacione të ndryshme, i të dhënave personale të shtetasve, duhet të realizohet vetëm në përputhje me interesin publik që bart publikimi përkatës.
Ky është edhe qëndrimi taksativ i nenit 11 të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si dhe i udhëzimit nr. 9 (viti 2010), si dhe nr. 31 (viti 2012), të cilët gjenden të publikuara në Fletoren Zyrtare, si dhe në faqen zyrtare të Zyrës së Komisionerit, www.idp.al.
Publikimi i të dhënave të shtetasve, pa asnjë lidhje me thelbin e lajmit/publikimit përkatës, nuk përbën interes publik.
Qarkullimi dhe publikimi online i të dhënave të shtetasve, në pjesën dërrmuese të rasteve të konstatuara, rezulton të jetë në tejkalim të interesit publik dhe, rrjedhimisht, përbën cenim në shkallë të gjerë të jetës private dhe, më tej, familjare të çdo qytetari që është subjekt publikimi.
Këto publikime, si dhe çdo qarkullim online dhe/ose manual i të dhënave në fjalë, përbëjnë një “lojë” të rrezikshme dhe me pasoja të pakthyeshme për qytetarët.
Për këtë arsye, Zyra e Komisionerit kërkon t’i jepet fund kësaj “loje” të kundërligjshme nga kushdo.
Gjithashtu, apelojmë çdo qytetar që të mos bëhet pjesë e skemave mashtruese me të dhënat personale, të vëna në zbatim nëpërmjet faqesh interneti apo aplikacionesh të ndryshme, pasi, siç po ndodh në praktikë, abuzimi me to mund të realizohet lehtësisht, ndërsa riparimi i pasojave të dëmshme për jetën private mund të jetë afatgjatë dhe, madje, i pakthyeshëm.