Konferenca e 41-të, Ndërkombëtare e Komisionerëve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë (International Conference of Data Protection and Privacy Commissioners – ICDPPC), e zhvilluar në Tiranë, në mjediset e Pallatit të Kongreseve, në datat 21-24 tetor 2019, shënon nisjen e një faze të re ndërveprimi për Autoritetet e mbrojtjes së të dhënave nga mbarë bota. Ndryshimi i emërtimit të organizatës nga “Konferenca Ndërkombëtare” në “Asambleja Globale e Privatësisë – GPA”, është guri i themelit të një reforme tërësore në organizimin, funksionimin dhe koordinimin e saj të brendshëm në të ardhmen. Punimet e Sesionit të Mbyllur të kësaj Konference u përshëndetën nga i ftuari i nderit, z. Gramoz Ruçi, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.
Gjatë punimeve të Sesionit të Mbyllur, të zhvilluar në datat 21-22 tetor, u miratuan 6 dokumente të rëndësishëm:
– Rezoluta për drejtimin strategjik të Konferencës;
– Rezoluta për promovimin e instrumenteve të rinj dhe afatgjatë dhe për përpjekjet e vazhdueshme ligjore për bashkëpunim efektiv ndërkufitar;
– Rezoluta ndërkombëtare për privatësinë si një e drejtë themelore e njeriut dhe parakusht për ushtrimin e të drejtave të tjera;
– Rezoluta për mbështetjen dhe lehtësimin e bashkëpunimit rregullator mes Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Autoriteteve të Mbrojtjes së Konsumatorit e Konkurrencës për të arritur standarde të larta të mbrojtjes së të dhënave në ekonominë digjitale;
– Rezoluta për të adresuar rolin e gabimin njerëzor në shkeljen e të dhënave personale;
– Rezoluta për median sociale dhe përmbajtjen e dhunshme ekstremiste në internet.
Konferenca në Sesionin e Hapur u përshëndet, më 23 tetor, nga z. Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë dhe më 24 tetor, nga z. Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Punimet e saj u karakterizuan nga fryma e ndërveprimit dhe bashkëpunimit mes përfaqësuesve të Autoriteteve, botës akademike, biznesit, shoqërisë civile dhe medias. Tematikat e trajtuara përfshinë diskutimet për standarde të unifikuara në mbrojtjen e të dhënave dhe privatësisë; adresimin e sfidave në nivel global të modeleve të biznesit të drejtuara nga të dhënat; trajtimin praktik të mbrojtjes së të dhënave me konkurrencën si pikë takimi në rregullimin digjital; përgjegjshmërinë si një nga aspektet kryesore për standarde të larta të mbrojtjes së të dhënave; ndërsa u diskutua edhe sfidat kryesore në të ardhmen të Autoriteteve të fushës për zbatimin e mandatit të tyre në mbrojtjen e të dhënave personale.
Në këtë Konferencë morën pjesë mbi 700 delegatë dhe të ftuar. Një aspekt tjetër i rëndësishëm i saj ishte zhvillimi i 25 aktiviteteve paralele (side events), më 22 dhe 24 tetor, nga rrjete rajonale/linguistike, grupe dhe forume të ndryshme ndërkombëtare, po ashtu si dhe një numër shumë i lartë takimesh pune dy dhe shumëpalëshe. Konferenca e ardhshme, e para nën emërtimin e ri, do të mbahet në Meksikë në 2020.