Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin (MAPA) bashkëorganizuan Konferencën VI Kombëtare për të Drejtën e Informimit me tematikë kryesore “Ndërtimi i besimit: Promovimi i transparencës, llogaridhënies dhe integritetit në politikat kundër korrupsionit”.
Në fokus të këtij aktiviteti kombëtar ishte roli i domosdoshëm i shoqërisë civile dhe medias në promovimin e të drejtës për akses në informacionin me karakter publik dhe fuqizimin e transparencës, për formimin e institucioneve të përgjegjshme e me integritet, si dhe ndarja e praktikave më të mira në forcimin e llogaridhënies, si shtylla të qasjes parandaluese të politikave antikorrupsionit. Konferenca VI Kombëtare mblodhi, në formën e një tryeze diskutimi, titullarë dhe përfaqësues të niveleve të larta, si dhe koordinatorë nga mbi 150 autoritete publike qendrore, të pavaruara, të sistemit të drejtësisë dhe të vetëqeverisjes vendore, bashkë me ekspertë e aktivistë të shoqërisë civile apo medias.
Në fjalën e tij, Komisioneri, z. Besnik Dervishi theksoi, ndër të tjera, se nuk “duhet mohuar në asnjë rast çfarë është bërë mirë, kjo edhe nga autoritetet publike, pasi sot kemi në qarkullim më shumë informacion se në çdo periudhë tjetër, ne mendojmë se rruga drejt arritjes së standardeve më të larta të transparencës është ende e gjatë dhe e vështirë. Transparenca si objektiv strategjik në vetvete, por jo vetëm, transparenca edhe në pozicionimin e saj si paradhoma e luftës kundër korrupsionit, përcakton qartë sfidën për secilin prej institucioneve tona. Është rasti që të lidhim kontratën për një sfidë të re, transparencën e autoriteve publike, që forcon llogaridhënien, për përfshirjen e qytetarëve dhe sa më shumë aktorëve të shoqërisë civile, medias, botës akademike, në rolin e tyre të pazëvendësueshëm, në funksion të ndërtimit të një klime transparente që e refuzon korrupsionin.”
I ftuar i veçantë në këtë Konferencë ishte Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, i cili vlerësoi si të rëndësishme renditjen e legjislacionit për të drejtën e informimit në vendin e 7 në rang botëror. Ai tha se “ajo që bën shumë përshtypje është që ende sot ka një mendësi dominante në administratë që dhënia e informacionit është një ekspozim i panevojshëm, ndërkohë që këtu bëhet fjalë për të dhënë informacion mbi vendimmarrjet, mbi veprimet e përkthyera në vendime të cilat janë aty dhe është absolutisht sa dramatike aq dhe qesharake kur pastaj marrja e informacionit, pra marrja e dokumentave që praktikisht janë shkruar, janë firmosur, janë protokolluar dhe që ekzistojnë dhe nxjerrja e tij në publik paraqitet si një zbulim: “gjeta një dokument”. Në fakt, ai dokument nuk është pronë e askujt në institucion, nuk është pronë e qeverisë së radhës, por është pronë publike dhe si pronë publike duhet të jetë i aksesueshëm.”
Në fjalën e saj, znj. Adea Pirdeni, Ministër Shteti për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, theksoi se “ky vit shenjon dekadën e miratimit të ligjit për të drejtën e informimit dhe nisjen e një procesi kuptimi, pranimi dhe zbatimi të një qasje të re, më efektive, dhe më të shpejtë ndaj transparencës. Me kalimin e viteve pati një proces gradual të shtimit të autoriteteve publike që kanë detyrim të zbatojnë Programin e Transparencës, nga 145 institucione në vitin 2015, në 332 në vitin 2023, sikurse edhe prej vitit 2018 u vu në zbatim regjistri qendror i kërkesave dhe përgjigjeve, i cili sot është funksional në 222 autoritete publike, duke vendosur kështu themelet e një shtrirje kapilare të sistemit të dhënies së informacionit.”
Gjatë këtij aktiviteti, u nënvizua qasja për konsolidimin e institucioneve të qëndrueshme dhe demokratike, nëpërmjet garantimit të të drejtës për akses në informacion, rritjes së transparencës dhe shtimin e llogaridhënies, si çelës për pjesëmmarrjen e qytetarëve në mirëqeverisje. Një kontribut të vyer dha z. Drago Kos, eksperti i Projektit Global të GIZ (Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit) “Lufta kundër flukseve të paligjshme financiare” me prezantimin e tij me temë “Transparenca mban korrupsionin larg“.
Në Konferencën VI Kombëtare, nëpërmjet shembujve praktikë u diskutua për gjendjen e transparencës së autoriteteve publike shqiptare, problematikat ekzistuese, si dhe mbi propozime për rritjen e saj në nivelet e kërkuara. Në dy panelet e posaçme me temë “Zbatueshmëria e ligjit për të drejtën për informim parë në këndvështrimin e autoriteteve publike, e ardhmja e transparencës proaktive” dhe “Transparenca e autoriteve publike parë në këndvështrimin e shoqërisë civile dhe medias” u theksua nga pjesëmarrësit rritja e besimit dhe bashkëpunimit ndërmjet të gjitha palëve/aktorëve të këtij procesi dinamik, për arritjen e objektivit të përbashkët, atij të garantimit me standardet më të larta të ushtrimit të kësaj të drejte dhe lirie themelore nga qytetarët.