|

Ndërtimi i besimit, rruga e Shqipërisë në BE drejt qeverisjes transparente

Rritja e transparencës së autoriteteve publike i ofron qytetarëve, organizatave të shoqërisë civile apo medias, një panoramë të plotë por edhe akses më lehtë e të shpejtë në informacionet shtetërore. Me tematikën “Ndërtimi i besimit, rruga e Shqipërisë në BE drejt qeverisjes transparente” u zhvillua forumi i bashkëorganizuar nga Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin (MAPA) dhe Delegacioni i BE në Shqipëri, në mbyllje të “Javës së Integritetit”.

Punimet e forumit i përshëndetën Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni, Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, Kreu i Delegacionit të BE në vendin tonë, z. Silvio Gonzato dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi.


Komisioneri në fjalën e tij vlerësoi përmirësim shumë të ndjeshëm të transparencës proaktive të institucioneve të ministrive dhe ky rezultat është koordinuar në mënyrë të pandërprerë dhe tepër efektive me MAPA. Ndër të tjera, z. Dervishi, tha: “transparenca kontribuon në zbatimin e parimeve kushtetuese të barazisë, paanësisë, performancës së mirë, përgjegjësisë, efektivitetit dhe efikasitetit në përdorimin e burimeve. Kjo integron të drejtën për administrim të mirë dhe kontribuon në krijimin e një administrate që i shërben qytetarit. Legjislacioni për të drejtën e informimit dhe veçanërisht instrumenti i Programit të Transparencës, ka pasuruar hapësirën operacionale të parimit të transparencës, duke e bërë atë funksional edhe në luftën kundër korrupsionit. Parimi i transparencës bëhet kështu një mjet për të garantuar demokracinë dhe mirëqeverisjen. Transparenca proaktive nuk ka të bëj vetëm me vënien në dispozicion të informacionit – ka të bëj me nxitjen e një mjedisi ku hapja dhe llogaridhënia janë normë, jo përjashtim. Në praktikën evropiane është e pakonceptueshme që një autoritet publik të mos zbatojë një opinion apo rekomandim të Komisionerit për të Drejtën e Informimit. Marrëdhënia e Institucioneve Kombëtarë të të Drejtave të Njeriut (IKDNJ) me autoritetet publike dhe e këtyre me qytetarin dhe patjetër me shoqerinë civile, median apo çdo grup interesi, duhet të mbeshtetet në integritetin dhe në luajalitetin institucional. Kjo është aksioma jonë.”

Fjala e Komisionerit

Pjesë e këtij forumi ishte edhe mbajtja e dy paneleve për prezantimin e praktikave më të mira në funksion të forcimit të transparencës së autoriteteve publike. Në të parin, me titull “Perspektivat e BE dhe ato ndërkombëtare”, e ftuar ishte edhe përfaqësuesja e Zyrës së Komisionerit, znj. Elona Hoxhaj – Drejtore e Përgjithshme e të Drejtës për Informim. Ajo theksoi rëndësinë që ka transparenca proaktive në performancën e institucioneve shtetërore në raport me qytetarët, si dhe domosdoshmërinë për ta forcuar dhe patur atë gjithnjë në fokus të veprimtarisë së autoriteteve publike.


Në këtë forum, u prezantua nga Ministrja Pirdeni platforma “Transparent Albania”, e cila synon transformimin e mënyrës se si qytetarët ndërveprojnë me institucionet publike, në funksion të konsolidimit të besimit dhe përkushtimit për standardet më të larta të qeverisjes së hapur. Ky aktivitet ishte pjesë e Projektit “Bashkimi Evropian për Qeverisjen e Mirë”, i cili fokusohet te transparenca proaktive në qeverisje, si një shtyllë kyçe e Planit të Rritjes të BE, duke e konsideruar atë si një masë të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit.