Formularin e plotësuar, mund ta dërgoni pranë Zyrës së Komisionerit në adresën e-mail info@idp.al, dorazi ose nëpërmjet postës në adresën: Rr. “Abdi Toptani”, Nd. 5, kodi postal 1001, Tiranë.
Ligji nr. 33/2022 “Për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit të sektorit publik”
Neni 20
Procedura për shqyrtimin e ankesave
1. Nëse palët e interesuara vlerësojnë se organi i sektorit publik ose sipërmarrja publike ka cenuar të drejtën e tyre për ripërdorim të dokumenteve sipas parashikimeve të këtij ligji, ato kanë të drejtë të ankohen në rrugë administrative pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në përputhje me këtë ligj dhe Kodin e Procedurave Administrative.
2. Ankimi administrativ pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale bëhet brenda 30 ditësh pune nga dita kur:
a) ankuesi ka marrë njoftim për refuzimin e ripërdorimit të dokumenteve;
b) ka kaluar afati i parashikuar në këtë ligj për dhënien e dokumentit për ripërdorim.
3. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale brenda 30 ditësh pune nga dita kur është dorëzuar ankimi vendos:
a) mospranimin e ankesës kur:
i. ka kaluar afati i parashikuar në pikën 2 të këtij neni;
ii. ankimi nuk paraqitet në formë shkresore;
iii. nuk tregohet emri dhe adresa e ankuesit.
b) pranimin e ankesës dhe urdhërimin e organit të sektorit publik ose të sipërmarrjes publike për të vënë në dispozicion dokumentin e kërkuar për ripërdorim në mënyrë të plotë ose të pjesshme;
c) rrëzimin e ankesës, pjesërisht ose tërësisht;
ç) afatin brenda të cilit organi i sektorit publik ose sipërmarrja publike duhet të zbatojë urdhrin.
4. Në qoftë se Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk merr vendim përpara mbarimit të afatit të parashikuar në pikën 3 të këtij neni, ankuesit i lind e drejta për t’iu drejtuar gjykatës.